Vendosni fjalën kyçe....

“Gjykata Supreme, Trump e Republikanët kërcënim më i madh për SHBA-në se Rusia e Kina, duhen goditur fort” – Soros


Gjykata e Lartë e SHBA-së dhe Partia Republikane e Donald Trump përfaqësojnë një kërcënim më të madh për SHBA-në sesa Rusia dhe Kina dhe duhet të mposhten me çdo mjet të nevojshëm, tha megadonatori demokrat George Soros në një shkrim të botuar më 4 korrik.

Soros, 91 vjeç, ka bërë thirrje më parë për ndryshimin e regjimit në Kinë dhe një fitore të shpejtë ndaj Rusisë. Në shkrimin e tij të fundit, ai i quajti ato ‘regjime represive’ që ‘duan të imponojnë një formë autokratike të qeverisjes në botë’.

Megjithatë, argumentoi ai, një kërcënim shumë më i madh për SHBA-në vjen nga ‘armiqtë e brendshëm të demokracisë’, të cilët përfshijnë ‘Gjykatën Supreme të tanishme, e cila dominohet nga ekstremistët e ekstremit të djathtë dhe Partia Republikane e Donald Trump’, e cila i vendosi ata atje.

Duke i bërë jehonë Presidentit Joe Biden, Soros denoncoi gjykatën për vendimin e muajit të kaluar, që përmbysi precedentin e 1973 ‘Roe kundër Wade’ për abortin. Ai tha se logjika e vendimit rrezikon të drejta të tjera të njohura sipas Amendamentit të Katërmbëdhjetë, ‘midis tyre të drejtën për kontracepsion, martesën e të njëjtit seks dhe të drejtat LGBTQ’, por ndoshta edhe martesën ndërracore.

“Është gjithashtu e qartë se kjo Gjykatë synon të kryejë një sulm frontal ndaj degës ekzekutive.” – argumentoi Soros, duke treguar vendimet në lidhje me autoritetin e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, pronësinë e armëve dhe rindarjen.

Emëruesi i përbashkët në vendimet e fundit të gjykatës është ‘mbështetja e kauzave të promovuara nga Partia Republikane e Trump dhe dobësimi ose nxjerrja jashtë ligjit e kauzave të favorizuara nga Partia Demokratike’, këmbënguli ai.

Vendimi i Gjykatës Supreme është ‘pjesë e një plani të hartuar me kujdes për ta kthyer SHBA-në në një regjim represiv’, shkroi Soros, dhe mënyra e vetme për t’i ndaluar ata është ‘të flakësh Partinë Republikane nga detyra në një fitore tronditëse’, argumentoi Soros. Demokratët tani për tani kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dy dhomat e Kongresit.

Republikanët ‘sulmojnë sistemin tonë të demokracisë nga çdo kënd’, shkroi Soros, duke akuzuar partinë se ‘ka grumbulluar’ si në Gjykatën e Lartë ashtu edhe në shumë gjykata më të ulëta ‘gjyqtarë ekstremistë’ dhe ka miratuar ligje që ‘e bëjnë votimin shumë të vështirë’.

“Mbijetesa e demokracisë në SHBA është shumë e rrezikuar.” – përfundoi Soros, duke shtuar se ‘ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta parandaluar këtë’, duke përfshirë kontaktin me disa republikanë që votuan për Trumpin, por që kundërshtojnë ‘gënjeshtrën e tij të madhe’ për parregullsi në zgjedhjet e 2020. Kjo, argumentoi ai, ka të bëjë me ‘rivendosjen e një sistemi politik funksional dypartiak që është në thelb të demokracisë amerikane’.

Miliarderi me origjinë hungareze ka investuar miliona për të ndihmuar kauzat e demokratëve, nga zgjedhjet e ardhshme kombëtare të mesmandatit deri te garat e prokurorëve të qarkut në juridiksionet kryesore.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani