Vendosni fjalën kyçe....

Boris Johnson: Nëse Putini do ishte grua, nuk do të kishte nisur lufta


Sipas kryeministrit britanik Boris Johnson, presidenti rus Vladimir Putin nuk do ta kishte pushtuar Ukrainën nëse do të ishte një grua.

Johnson tha se pushtimi “i çmendur, macho” ishte një “shembull i përsosur i maskulinitetit toksik” dhe ai bëri thirrje për “më shumë gra në pozitat e pushtetit”.

Komentet ai i bëri një ditë përpara takimit të sotëm të NATO-s ku aleatët do të diskutojnë se si t’i përgjigjen kërcënimeve të ardhshme.

Johnson foli pas samitit të G7 të vendeve të pasura në Bavari, në një intervistë për transmetuesin gjerman ZDF.

Duke u ndalur në barazinë gjinore dhe rëndësinë e arsimit, ai tha se “ju duhen më shumë gra në pozitat e pushtetit”.

“Nëse Putini do të ishte një grua, gjë që ai padyshim që nuk është, por nëse do të ishte, unë me të vërtetë nuk mendoj se ai do të kishte nisur një luftë të çmendur, pushtim macho dhe dhunë në mënyrën që ka bërë.”- tha Johnson sipas BBC-së.

“Nëse doni një shembull të përsosur të maskulinitetit toksik, kjo është ajo që ai po bën në Ukrainë.”

Johnson tha gjithashtu se ndërsa udhëheqësit e G7-ës duan “dëshpërimisht” një fund të luftës në Ukrainë, aktualisht nuk ka “asnjë marrëveshje të disponueshme”.