Vendosni fjalën kyçe....

Po pinte kafe në lokal, ekzekutohet me breshëri plumbash anëtari i klanit të njohur mafioz në Budva


Ekzekutohet me armë zjarri një nga anëtarët e lartë të klanit mafioz malazez “Skaljar“ në Malin e Zi.

Mediet malazeze raportojnë se Milic Minja Shakoviç është vrarë rreth orës 23.40 në Budva, teksa ishte i ulur në një lokal.

Vrasësi thuhet se ishte ulur në tavolinën pranë tij, i pa maskuar. Me sa duket, ai sapo u ngrit qëlloi disa herë në drejtim të Shakoviçit.

Kurir thotë se vrasësi kishte veshur një këmishë të bardhë dhe kapele. Policia thotë se ka gjetur një këmishë dhe një kapele që dyshohet të jenë përdorur nga autori.

Policia bllokoi zonën e kontaktit të qytetit të vjetër.

Vijesti shkruan se Shakoviç për shkak të luftës mes klaneve ishte shumë i kujdesshëm. Ai dilte rrallë nga shtëpia, duke përdorur vetëm një makinë të blinduar dhe duke lëvizur vetëm i shoqëruar nga truproja.

Por mesa duket kjo siguri nuk ka mjaftuar për ta shpëtuar.

Shakoviç i ka mbijetuar më 8 shtator 2017 një atentati, pasi vrasësit e qëlluan në gjoks me automatik me pesë plumba në kafenenë “Auto Zeta” në qendër të Podgoricës, kur ai po priste që t’i lahej vetura në lavazh.  Atë ditë mbeti i vrarë Ivan Nedoviçi nga Podgorica, djali i pronarit të servisit.

Në mesin e dhjetorit 2017, dy muaj pasi i kishte mbijetuar plagëve të marra, Shakoviç raportoi në polici se po ndiqej nga një burrë me biçikletë nëpër rrugët e Zagoricës, i cili dyshohet se kishte ardhur për ta vrarë.