Vendosni fjalën kyçe....

22 kilogramë kokainë do e paguanin me “bitcoin”, goditet banda e drogës Kolumbi-Ekuador-Shqipëri


Një sasi prej rreth 2.2 tonë kokainë është kapur në Peru. Sipas medieve ndërkombëtare, kokaina ishte fshehur në kutitë e shpargut dhe do të dërgohej nga porti i Callao, pranë kryeqytetit peruan Lima, në Roterdam të Holandës.

Në pranga kanë rënë shtatë shtetas nga Peruja, ndërsa janë lëshuar edhe dy urdhër-arreste ndaj dy shqiptarëve.

Siç tha kreu i hetuesve peruan të drogës, César Echevarría, dy shqiptarët ishin autorët e trafikut të kokainës, ndërsa bëhet fjalë për një rrjet me lidhje me Kolumbinë, Ekuadorin dhe Shqipërinë.

“Kjo është një organizatë kriminale me lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Ne po koordinohemi me autoritetet ndërkombëtare për të zbuluar vendndodhjen e dy shqiptarëve që kanë mbërritur në vendin tonë në koordinim me mafien shqiptare. Droga e lëngshme ishte e kamufluar në kanaçe shpargu dhe ishte transportuar me një kamion në Portin e Callao. Kjo organizatë kriminale planifikonte të paguante kokainë me monedha virtuale (Bitcoin).”- u shpreh Echevarría.

Që nga fillimi i vitit, policia peruane pretendon se ka sekuestruar rreth 35 tonë drogë. Me rreth 400 tonë në vit, Peruja është një nga prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.