Vendosni fjalën kyçe....

Rama thotë se në shkurt nis puna për urën e Bunës, Tabaku kundër: Nxjerr Shkodrën në plan të dytë


Gjatë fjalës së tij sot në Parlament, kryeministri Edi Rama deklaroi se në muajin shkurt të vitit të ardhshëm do të nisë puna për ndërtimin e urës në Bunë që lidh Velipojën me Ohrin.

“Juve përmendët urën e Bunës. Realisht është një projekt shumë i rëndësishëm për industrinë tonë turistike dhe për zonën e përbashkët atje. Mjafton 1 km urë, për të evituar 70 km kapje të veshit mbrapsht për t’i rënë vërdallë.

Duke qenë se ju mbani shënime dhe merreni me shifra. Në shkurt të vitit të ardhshëm, të gjitha këto mund të ndryshojnë, por plani është që në shkurt të vitit të ardhshëm, sëbashku me kryeministrin e Malit të Zi, të jem atje për të filluar puna për ndërtimin e urës. Jemi në fazën e projektit të detajuar.

Po ndeshen me një situatë absolutisht, jo të lehtë për shkak të rritjes së çmimeve. Sidoqoftë, shkurtin e ardhshëm fillon puna. Sikurse në 2 korrik hapet aksi i shumëpërfolur Kardhiq-Delvinë, në 9 korrik hapet bypassi i Vlorës. Këto sakatimet që kur krijohen shumë lidhje me botën, sakatohesh, janë konsekuenca të të jetuarit si në rrethim.

Ne nuk do fillojmë Milot Balldren, sepse ne nuk mendojmë në formë arnash siç mendoni ju, ju mendoni si shto ujë e shto miell. Por ne mendojmë krejt ndryshe. Ne do bëjmë Muriqan-Milotin, Milot-Balldrenin, Kashar-Rrogozhinën e me radhë. Me 3 apo 4D, më 2 korrik hapet përfundimisht Kardhiq-Delvinë.”– tha Rama.

Pas kësaj, deputetja Jorida Tabaku mori fjalën për replikë. Ajo u shpreh se ky projekt nxjerr Shkodrën jashtë vëmendjes.

“Ndoshta duke qenë se jam në opozitë, unë nuk e shoh realitetin me sytë e vartësve. Sado ngjyra ti hedhësh kësaj gjësë nuk e rregullon dot dhe nuk e ndryshon dot. Dy elemente përsa i përket aksit Kardhiq-Delvinë. Normalizimi i korrupsionit në këtë nivel për një projekt, i cili nisi me 5 miliardë dhe po përfundon me 6.7 miliardë, 30% më shumë,  pa tender, pa garë janë dhënë 15 milionë eurot e fundit, për mua është e papranueshme. Nëse do jem ndonjëherë nesër në vendimmarrje, do kem gjithmonë interesin e Shqipërisë të parin.

Ura e Bunës është një projekt i cili e lë komplet Shkodrën jashtë vëmendjes, i heq të gjitha atraksionet e Shkodrës dhe bën të mundur që të dalë çdo gjë e Shkodrës në plan të dytë ndërkohë që në plan të parë vendoset çdo gjë e Malit të Zi.”– tha Tabaku.