Vendosni fjalën kyçe....

Berisha për deklaratat e Lavrovit: I doli zot Ballkanit të Hapur si projekt rus


Pas Petrit Vasilit, lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus mbi “Ballkanin e Hapur” ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Sipas Berishës, deklaratat e Lavrovit provon se kryeministri Edi Rama kërkon të vëndosi Shqipërinë nën hegjemoninë e Serbisë dhe influencën direkte të Rusisë. Ai e quan Ramën “vasal të Aleksandër Vuçiçit”.

Berisha përmes postimit të tij, përshëndet vendimet e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s që i ndaluan ministrit rus të fluturonte në hapësirën e tyre ajrore për të mbërritur në Serbi.

“Goebelsi i Vladimir Putinit, Lavrov i del zot Ballkanit të Hapur si projekt rus!

Pas ndalimit që i bëri Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, avionit të tij për të fluturuar në hapësirën ajrore të këtyre vendeve për në Beograd, Goebbelsi i diktatorit gjaksor Putin ju deklaroi mediave serbe se ai po shkonte në Beograd për projektin e Ballkanit të Hapur.

Të dashur miq, kjo provon se Edi Rama vasal i Aleksandër Vuçiç me Ballkanin e Hapur kërkon të vendosi Shqipërinë vendin anëtar të NATO-s nën hegjemoninë e Serbisë dhe influencën direkte të Rusisë.

Konkretisht Lavrov deklaroi për mediat serbe: ‘Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur’-tha ministri i Jashtëm rus.

Me këtë rast përshëndes përzemërsisht vendimet e qeverive të vendeve anëtare të NATO-s për ndalimin fluturimit të avionit të ministrit të Putinit në hapsirën e tyre ajrore dhe dënoj me forcën më të madhe aktin antikombëtar, anti europian të Edi Ramës, mbështetjen nga ana e tij të projektit ruso-serb të Ballkanit të Hapur.”– shkruan Berisha.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më herët e ka quajtur “të paimagjinueshëm” vendimin e disa vendeve për t’i ndaluar atij të fluturojë mbi territorin e tyre dhe të vijë në Serbi. Sipas Lavrovit, me këtë procedurë, Perëndimi po ia bën të qartë Rusisë se do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Moskës.

Më pas ai përmendi projektin e “Balkanit të Hapur” dhe bëri deklaratën e përmendur më sipër.