Vendosni fjalën kyçe....

Deklaratat e Lavrov, Vasili: Dekonspiroi Ballkanin e Hapur si nismë Ruso Serbe


Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka reaguar lidhur me deklaratat e sotme të ministrit të Jashtën rus Sergei Lavrov lidhur me anulimin e vizitës së tij në Serbi.

Në një deklaratë për mediet, Lavrov shprehej se Brukseli “po tërheq fijet” pasi nuk do të mbështesë projektin “Ballkani i Hapur”.

Përmes kësaj deklarate, Vasili thotë se Lavrov rikonfirmoi se Ballkani i Hapur është një nismë Ruso-Serbe.

“Lavrov dekonspiron Ballkanin e Hapur si nismë Ruso Serbe!

Sot Lavrov nxjerr haptas në shesh që Ballkani i Hapur është një strategji Ruso Serbe.

Ai tha sot: Lavrov: Natyrisht, ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e kanë dashur këtë, nuk kanë dashur që ne t’i shprehim mbështetjen tonë për Beogradin, ndër të tjera, projektin e Ballkanit të Hapur. Tashmë është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan ta kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur- tha ministri i Jashtëm rus.

Pak javë më parë i kërkova Parlamentit Shqiptar me Amendament daljen e menjëhershme nga Ballkani i Hapur si një nismë Ruso Serbe dhe anti Euroatlantike.

Votimi kundër ishte një votim tradhëtarësh.

Ja ku e keni deshminë tronditëse në fjalët e Lavrov.

Letrat u hapën, Rama është thjesht një shërbëtor i bindur i interesave Ruso Serbe.”- shkruan Vasili.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov më herët e ka quajtur “të paimagjinueshëm” vendimin e disa vendeve për t’i ndaluar atij të fluturojë mbi territorin e tyre dhe të vijë në Serbi. Sipas Lavrovit, me këtë procedurë, Perëndimi po ia bën të qartë Rusisë se do të vazhdojë të ushtrojë presion ndaj Moskës.

Më pas ai përmendi projektin e “Balkanit të Hapur” dhe bëri deklaratën e përmendur më sipër.