Vendosni fjalën kyçe....

Votimi për Begajn, Taulant Balla: E kemi menduar një zgjidhje nëse larg qoftë krijohet një ngërcc me Ilir Metën


Në mbledhjen e sotme të PS-së, kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla u ndal në ligjin për Forcat e Armatosura që parashikon që ushtarakët të japin dorëheqje përpara se të emërohen dhe të zgjidhen. Kjo do të thotë se kandidati i propozuar për president nga Bajram Begaj, duhet të japë dorëheqjen dhe kjo duhet të pranohet me dekret dhe nga presidenti Ilir Meta.

Balla tha se beson se nuk do të krijohet ndonjë ngërç, nga Presidenti aktual Ilir Meta. Megjithatë theksoi se kanë menduar edhe për një zgjidhje në rast se Meta do krijonte ndonjë ngërç.

“Ligji për Forcat e Armatosura parashikon që ushtarakët duhet të japin dorëheqje përpara se të emërohen dhe të zgjidhen.

Besoj që kjo procedurë do të përfshijë orët në vijim, edhe presidentin aktual të republikës dhe besoj se nuk do të jetë një betejë e radhës me presidentin aktual. Megjithatë kemi menduar me kryetaren e Komisioni të Çështjes Ligjore mënyrën e zgjidhjes së këtij nëse larg qoftë na krijohet ndonjë ngërç me Presidentin e Republikës.”– tha ai.

Përpara se të nisë votimi për të sot në Kuvend, Begaj do të duhet të heqë dorë nga postet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor.

Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie.

“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.”– thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.

Ndërsa gradën si gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.

Duke qenë se edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe gradën gjeneralmajor, Begaj i ka marrë me dekret nga Presidenti Meta, edhe dorëheqja e tij nga këto poste duhet të bëhet me dekret presidencial.

Kështu presidenti Meta do të duhet të pranojë dorëheqjet e tij me dekret.