Vendosni fjalën kyçe....

Rama për zgjedhjen e presidentit: Proces jo i lehtë, nisëm me Fatos Nanon dhe në fund patëm 6 kandidatura


Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, është mbledhur këtë të shtunë grupi parlamentar i PS-së, lidhur me propozimin si kandidat për president të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Bajram Begaj.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama theksoi se procesi për zgjedhjen e presidentit të ri nuk ishte aspak i lehtë.

“Parashtrimi që bëri kryetari i grupit është shterues. Thjesht dua të falënderoj anëtarët e grupit parlamentar për kontributin e dhënë në këtë proces. Një proces që për natyrën e vet është jo i lehtë.

Për shkak se siç e kemi diskutuar jo në një rast bëhet fjalë për të identifikuar një figurë e cila do të përmbushë kërkesa shumë specifike, por në të njëjtën kohë për të garantuar dhe respektin dhe moscenimin e të gjithë kandidatëve potencialë në një proces diskutimi që kthehet në një thashethemnajë të madhe dhe që merr rrugët e pazarit mediatik.

Procesi që ne zhvilluam këtu në grup na dha të drejtë në fund. marrja e propozimeve nga gjithë anëtarësia e grupit me zarfat e sekretuar që pastaj u vunë në dispozicion të Kryesisë së PS-së për një diskutim konkret emër për emër dhe kategori për kategori së bashku me pjesën tjetër të punës që u bë nga komisioni i posaçëm që ne përzgjodhëm, mandatuam për të komunikuar më palët e tjera në parlament, apo për të hapur dhe kanale të tjera komunikimi me përfaqësues të shoqërisë civile këtu në Kuvend na mundësuan që të arrijmë në një konkluzion që përmbush nevojën alarmante që ka ngrehina institcionale e shtetit për një figurë sa të lartë aq dhe të pa angazhuar në gjithë përplasjet apo rrugët që kryqëzohen në arenën politike.”– tha Rama.

Kryeministri ka zbardhur dhe prapaskenat për daljen e emrit të kandidatit për President. Ai tha se në fund kishin patur 6 kandidatura, para se të vendosnin përfundimisht për Begajn.

“Drejtimi i dytë ishte drejtimi që adresonte mundësinë për kandidatura që nuk janë anëtarë të grupit të PS, por që kanë një kontribut domthenës në jetën e partisë, që nga kryetari i partisë Fatos Nano dhe me radhë të tjerë për të cilët kemi respektin më të madh, por përsëri për arsyet e thëna publikisht e pamë të arsyeshme që dhe këtë drejtim ta përjashtojmë nga mundësia e përzgjedhjes sepse në këtë fazë PS ka barrën të jetë partia e të gjithëve.

Kështu rezonuam te grupi i tretë, ku grupi kishte vënë në funksion të këtij procesi 26 kandidatura me gra dhe bura të nderuar, me profile të ndryshme, që nga profilet e jetës publike e akademike deri te drejtimi që vinin nga anë të tjera politike. Pas diskutimit, duke ruajtur respekt për të gjithë personat, pavarësisht se mbledhja ishte e mbyllur, u ruajt respekti për të gjithë personat që dhe pa dijeninë e tyre fare ishin përfshirë në atë diskutim. Në fund patëm 6 kandidatura që morën më shumë kohë për t’u shoshitur pastaj konsensualisht duke dëgjuar me vëmendje ato që u thanë, konsensualisht u arrit në konkluzionin që të vinim sot në grup  dhe të propozonim këtë kandidaturë.”– tha Rama.

Më tej kryeministri shtoi se grupi socialist do të votojë në unanimitet të plotë për Bajram Begaj dhe nuk ka nevojë të diskutohet për këtë.