Vendosni fjalën kyçe....

Sot Kuvendi voton për Presidentin e ri të Republikës


Kuvendi pritet të votojë sot kandidaturën e vetme të propozuar nga Partia Socialiste si President të Republikës. Kështu në orën 18:00 ligjvënësit shqiptarë do ë mblidhen për të miratuar ose jo emrin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begajt.

Ky është raundi i katërt, pasi tri raundet e para u dogjën për shkak të mungesës së kandidatëve.

Ndryshe nga dy raundet e para, në raundet e mbetura kreu i shtetit zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Dhe pse ka mjaftueshëm vota në Kuvend për ta miratuar këtë kandidaturë, 74.

Nëse Begaj merr sot 71 vota e nevojshme dhe konfirmohet emërimi i tij, ai duhet të presë deri në 24 korrik për të marrë detyrën, ditën që i mbaron mandati Presidentit aktual, Ilir Meta.

Para votimit Begaj duhet të dorëhiqet si Shef i Shtabit

Përpara se të nisë votimi sot në Kuvend, Begaj do të duhet të heqë dorë nga postet e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe grada gjeneralmajor.

Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë. Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie.

“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.”– thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.

Ndërsa gradën si gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.

Duke qenë se edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe gradën gjeneralmajor, Begaj i ka marrë me dekret nga Presidenti Meta, edhe dorëheqja e tij nga këto poste duhet të bëhet me dekret presidencial.

Kështu presidenti Meta do të duhet të pranojë dorëheqjet e tij me dekret.