Vendosni fjalën kyçe....

Refugjatët afganë në Shëngjin protestë, një nga shoqatat s’ka paguar shpenzimet e hotelit  


Një grup refugjatësh afganë që janë strehuar në një hotel në Shëngjin kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme.

Protesta e tyre vjen pasi një nga pesë organizatat që financon qëndrimin e tyre në vendin tonë nuk ka bërë pagesën e hotelit ku ata qëndrojnë që prej janarit, kur mbërritën në Shqipëri.

Ata kanë bërë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje pasi ndryshe rrezikojnë të dalin në rrugë të madhe.

Ndërkohë administratori i hotelit ku janë strehuar shtetasit afganë, Bledar Shima, ka pohuar ekzistencën e problemit lidhur me pagesën duke theksuar se zgjidhja nuk është gjetur ende. Ai tha se po punohet në këtë drejtim duke i bërë thirrje qeverisë që të ndërhyjë.

“Nuk është e vërtetët që po nxirren forcërisht. Kemi një problem financiar me një prej fondancioneve dhe po bashkëpunojmë që të gjejmë një rrugë të përbashkët për kryerjen e pagesës. Pagesat vazhdojnë që prej janarit, janë 80 dhoma dhe janë 348 persona të strehuar. Ato po diskutojnë për pjesën e pagesës është futur edhe qeveria në negociata. Varet si do të vijojë procedura më pas. Ato nuk mund të largohen pasi kanë mbrojtje të përkohshme nga qeveria.” – tha Shima, shkruan Shqiptarja.

Ndërkohë refugjatët afganë janë shprehur se janë të kënaqur me kushtet dhe me ndihmën e qeverisë shqiptare por kanë pohuar se duan të largohen drejt SHBA-së e Kanadasë.

Në Shëngjin janë strehuar që prej shtatorit 2021 rreth 2 mijë refugjatë afganë të cilët u larguan nga vendi pas ardhjes në pushtet të talibanëve.