Vendosni fjalën kyçe....

“Kishte probleme themelore”- Balla për rrëzimin e kërkesës së opozitës për Komision Hetimor për Investitorët Strategjikë


Pas përfundimit të konferencës së kryetarëve, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka komentuar vendimin për rrëzimin e kërkesës së Enkelejd Alibeajt.

Balla tha para gazetarëve se kërkesa e opozitës për Komision Hetimor mbi Investitorët Strategjikë nuk plotësonte elementet kryesore.

“Ndiqni diskutimet që kemi pasur në konferencën e kryetarëve, e kam thënë prej ditës së parë që jam zgjedhur si anëtar që respektimi i rregullores nga të gjithë duhet të jetë orientimi kryesor. Kërkesa e ardhur nga opozita ka probleme themelore. Firma e një deputeti vlen vetëm për një dokument, jo të merret nga njëri dokument në tjetrin.

Nuk mund të marrësh një kërkesë të rrëzuar dhe ti thërresësh prapë me një numër të ri protokolli. Firma e një deputeti, zyrtari, një qytetari vlen vetëm për një dokument. Ç’tju them. Nuk di çfarë përgjigje t’ju jap. Dëshira jonë është e madhe për të diskutuar dhe për të dhënë mundësinë e çdo lloj mekanizmi të kontrollit parlamentar.

E kemi thënë që prej shtatori që ne këtë legjislaturë kemi dëshirën për t’i lejuar opozitës hapësirë. Kjo gjë duhet bërë sipas praktikave të nevojshme. Shikoni të dyja kërkesat, shihini dhe më pas më thoni nëse e kam unë gabim apo Alibeaj.”- tha Balla.

Balla foli dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. Ai nuk pranoi të zbulojë asnjë emër, por theksoi se nuk përjashtohet asnjëra gjini.

“E thashë në mbledhje, po e ripërsëris, kemi ndjekur një proces tepër korrekt në marrëdhënie me atë që thotë Kushtetuta. Në tre raundet e para nevojitet që Presidenti të zgjidhet me 84 vota, kemi rënë dakord që në raundin e dytë e të tretë të ketë propozim vetëm nga opozita. Ju jeni dëshmitarë që nuk kemi marrë asnjë propozim, tani na takon neve që, siç e kam thënë PS ka organet e veta vendimmarrëse. Natyrshëm që vendimi i PS do të bëhet publik dhe duhet që vendimi i Kryesisë së PS t’i jepet edhe grupit parlamentar, pasi nga ty deputetët do të mbështesin me firma kandidatin për President. Një parti me rregulla bën këtë që po bëjmë ne.

Unë dhe dy kolegët e tjerë që jemi ngarkuar me këtë proces do të kemi një informim të PS. Nuk duhen përjashtuar asnjëra prej gjinive, e rëndësishme është të kemi një president që të mishërojë më së miri vlerat e larta të integritetit, i ndryshëm nga Ilir Meta.
Dëshira jonë ishte që ta zgjidhnim bashkë me opozitën. I shpreha keqardhjen sot Alibeajt për mospjesëmarrjen në seancën e tretë, që ju ishte dedikuar atyre. Mendoj se nuk i bën nder PD, drejtuar nga Alibeaj, që të kthehet në format e vjetra të bojkotit. Mendoj se bojkoti i ka dhënë disa leksione çdo partie, edhe pse nga bojkoti është dëmtuar PD. Leksionet duhen bërë mësime, duhet të vësh mend.”- tha Balla.