Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi i përgjigjet Berishës: Mund të kërcënosh me kode mafioze këdo politikan mafioz, por jo mua


Gazment Bardhi i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, lidhur me akuzat e këtij të fundit ndaj tij se bashkë me Taulant Ballën mbrojnë njëri-tjetrin lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan disa ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Bardhi shkruan në një postim në “Twitter” se Berisha und të kërcënojë me kode mafioze këdo politikan mafioz, por jo atë. Ai thekson se “arma” e vetme e Berishës ndaj tij është shpifja, ndërsa i kujton ngjarjen e rëndë të Gërdecit.

“Babi i Zenit mund të kërcënojë me kode mafioze këdo politikan mafioz, të ngjashëm me Taulant Ballën, por kurrë mua! Arma e vetme e Sali Berishës kundër meje mbetet shpifja. Kodet mafioze nuk i kanë ecur dhe nuk do t’i ecin! Ngushëllime SB për rënien e nivelit të shpifjeve! Herën tjetër pres të jetë më shumë kreativ dhe më pak kontradiktor me veten. Përgjegjësit nuk ndryshojnë sipas interesit politik të ditës të Ansamblit “Gërdeci”!”- shkruan Bardhi.

Kohët e fundit mes Berishës dhe Bardhit vijon të zhvillohet një përplasje në distancë me akuza dhe kundërakuza, të cilat fokusohen kryesisht në vrasjen e Elbasanit para zgjedhjeve dhe tragjedinë e Gërdecit.