Vendosni fjalën kyçe....

Polonia kundër Brukselit: Duan të na marrin sovranitetin, ndaloni shantazhet


Zv.kryeministri dhe politikani më i fuqishëm i Polonisë, Jaroslaw Kaczynski, ka paralajmëruar se ai do të bllokojë programin e rimëkëmbjes ekonomike lidhur me pandeminë Covid-19 të BE-së nëse blloku vazhdon të ndërhyjë në çështjet e brendshme të vendit.

Kaczynski, udhëheqësi i partisë në pushtet, Ligji dhe Drejtësia (PiS), tha në një intervistë se ai do të kundërshtojë planin e BE-së nëse Brukseli nuk heq termat gjuhësore në legjislacionin që e bën aderimin në të ashtuquajturat vlera “demokratike” një parakusht për marrjen e pagesave të rimëkëmbjes.

“Do të ketë veto. Nëse kërcënimet dhe shantazhet vijojnë, ne do të mbrojmë me vendosmëri interesin jetik të Polonisë. Kemi të bëjmë me një përpjekje për të marrë sovranitetin tonë, madje edhe në sferën e kulturës. Ne do të mbrojmë identitetin tonë. Ne nuk do të lejojmë që të terrorizohemi me para.” – tha Kaczynski.

Udhëheqësit e BE kanë miratuar një buxhet shtatë-vjeçar dhe një plan stimulues që synon të ndihmojë vendet anëtare të goditura nga mbylljet për shkak të Covid-19.

Brukseli ka goditur Varshavën për qëndrimin e saj konservator për një sërë çështjesh, përfshirë emigracionin dhe politikat mjedisore të bllokut.

Së bashku me Hungarinë, Polonia është nën hetimin e BE-së për pretendimin e ushtrimit të presionit politik në gjykata, media dhe organizatat joqeveritare (OJQ). Të dy vendet u censuruan nga Parlamenti Evropian në prill për prishjen e ‘vlerave Evropiane’ gjatë pandemisë Covid-19.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *