Vendosni fjalën kyçe....

Evi Kokalari: Mos të dëgjoj më që Këlliçi dhe Kadiu kanë qenë më të votuarit, do flas me emra nëse manipulohet vota të premten


Aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari e cila vetëm dy ditë më parë njoftoi largimin nga Shqipëria ka shprehur rezerva dhe ka kritikuar procesin e votimit në PD.

Ajo tha se nuk dëshiron më të dëgjojë deklarata të tilla që Belind Këlliçi apo Fatbardha Kadiu janë më të votuarit në Kryesi.

Kokalari i akuzon ata se kanë nxjerrë anëtarë të Këshillit dhe anëtarë të Forumit Rinor të lobojnë për ta në 22 Maj. Ajo e quan këtë manipulim të votës dhe i konsideron Këlliçin dhe Kadiun “po aq të shantazhueshëm sa Lulzim Basha”.

E angazhuar me “ruajtjen e votës”, Kokalari ndalet tek procesi i votimit që mbahet ditën e premte në Këshillin Kombëtar për funksionet drejtuese të PD-së.

“Kam katër javë që bëj luftë pikërisht për të mbrojtur votën e 22 Majit dhe të 3 Qershorit, dhe nuk do t’ju lë t’i merrni votë individëve si Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj dhe disa të tjerëve nëse ata kandidojnë këtë të Premte. Këta e kanë treguar integritetin dhe kapacitetin e tyre dhe kanë aq dinjitet që mos ngelen krijesa të lobimeve.”- shkruan Kokalari e cila paralajmëron se do të flasë me emra, mbiemra e fakte nëse manipulohet apo orientohet votimi të premten.

Ditën e premte më datë 3 qershor, ora 17.00, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e partisë.

KOMENTI I PLOTË I KOKALARIT

Nuk dua të dëgjoj më që Belind Kelliçi dhe Fatbardha Kadiu kanë qënë më të votuarit në Kryesi. Dhe hipokrizinë e Belindit kur thotë se është i prekur nga kjo dashamirësi në votim, kur e di fare mirë si e arriti, bën mirë ta përdorë për ata që e rrethojnë dhe jo për njerëzit me IQ të konsiderueshme.

Turp t’i vijë Belindit dhe shokëve të tij të ngushtë që nxorrën anëtarë të Këshillit dhe anëtarë të Forumit Rinor të lobojnë për të dhe për Fatbardha Kadiun në 22 Maj.

Nuk është aspak etike që një anëtar i Këshillit të lobojë për miqtë e tij kundër anëtarëve të tjerë.

Ky quhet orientim vote dhe është një lloj manipulimi i vullnetit të lirë. Ky akt duhet të ndërshkohet nga Komisioni i etikës nëse PD do këtë një.

Turp edhe për ata që nisën një listë lobimi për Kryesi në mëngjesin e 22 Majit, duke lënë jashtë deputet dhe njerëz që vërtet i janë gjëndur Sali Berishës pranë që ditën e parë dhe që doktori i kishte dhënë një shans të barabartë për Kryesi, ashtu siç dhe e meritonin.

Ju jeni po aq të shantazhueshëm sa ishit me Lulzim Bashën, dhe helbete ju jeni të fundit që ju bashkuat karvanit të Berishës.

Ja, ky është karakteri, integriteti dhe hipokrizia juaj.

Kam katër javë që bëj luftë pikërisht për të mbrojtur votën e 22 Majit dhe të 3 Qershorit, dhe nuk do t’ju lë t’i merrni votë individëve si Oerd Bylykbashi, Agron Shehaj dhe disa të tjerëve nëse ata kandidojnë këtë të Premte. Këta e kanë treguar integritetin dhe kapacitetin e tyre dhe kanë aq dinjitet që mos ngelen krijesa të lobimeve.

Jam gati të flas në detaje nëse kandidaturat dhe votat e të Premtes manipulohen/orientohen.

Do flas me emra, mbiemra dhe fakte!