Vendosni fjalën kyçe....

Ndërron jetë në moshën 57-vjeçare aktori i njohur Enea Zhegu


Ndahet nga jeta në moshën 57-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Enea Zhegu, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë.

Lajmi i hidhur u bë i ditur nga shumë prej të afërmve dhe miqve të aktorit në rrjete sociale.

“U prehsh në paqe mik…Aktori i dashur i fëmijëve të kohës sonë Enea Zhegu.”– shkruan Anila Astrit Çobani.

“Sa e trishtë është kjo ikja jote prej turravrapi në këtë fundpranvere o Artist i lindur, Enea Zhegu…!”– shkruan miku i tij Ilir Çumani. Ai vazhdon: “E luajte edhe dramën e ikjes pa kthim, njësoj si tek personazhet e roleve në filmat e tu aq të mrekullueshëm, kaq mbresëlënës, të cilat do të mbeten përgjithmonë të gjalla në kujtesën e publikut, të paharruara për të gjitha brezat. Ti ike duke bashkëudhëtuar në heshtje për vite me radhë, në një betejë me dhimbjen që të shkaktonte sëmundja tekanjoze e kapricioze, por asnjëherë dhe në asnjë çast nuk e lëshove veten, sepse jetove si qëndrestar stoik në përballje me atë flamë që pak nga pak kafshonte pjesë nga trupi yt vital…!”

Enea Zhegu u bë i njohur për publikun që në fëmijëri, ku ka luajtur një sërë rolesh, për të cilët do të mbahet mend gjithmonë.

Ai ka qenë pjesë e filmave si “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mur”, “Njeriu me top”, “Një jetë më shumë”.