Vendosni fjalën kyçe....

Kina zgjerohet në Paqësor, nënshkruan marrëveshje të re


Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi përfundoi vizitën e tij në Samoa të shtunën, pasi zhvilloi një sërë bisedimesh me zyrtarë të lartë për çështje me ‘interes dhe shqetësim të ndërsjellë’ dhe nënshkrimin e një marrëveshjeje për bashkëpunimin ekonomik dhe teknik.

“Samoa dhe Republika Popullore e Kinës do vazhdojnë të ndjekin një bashkëpunim më të madh që do të përmbushë interesat dhe angazhimet e përbashkëta.” – tha qeveria e Samoas në një deklaratë të shtunën mbrëma.

Delegacioni kinez i kryesuar nga Wang Yi bëri një vizitë te kreu i shtetit, Tuimalealiifano Vaaletoa Sualauvi II dhe kryeministrja Fiame Naomi Mataafa, përpara se të nënshkruante të paktën tre dokumente zyrtare, duke përfshirë një ‘Marrëveshje të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Teknik për projektet që do të përcaktohen dhe të rëna dakord në mënyrë të ndërsjellë midis vendeve përkatëse’.

Pak hollësi u shfaqën në lidhje me marrëveshjen e re, por bisedimet thuhet se mbuluan tema të ‘paqes dhe sigurisë’ rajonale si dhe ndryshimeve klimatike e pandemisë Covid-19.

Samoa vlerësoi gjithashtu Pekinin si partnerin e tij kryesor të zhvillimit në projektet e infrastrukturës, kujdesit shëndetësor dhe bujqësisë, ndërsa diplomati kinez vuri në dukje se të dy vendet ndajnë ‘përvoja të ngjashme historike dhe përballen me detyra të përbashkëta zhvillimi’.

Udhëtimi i Wang pason nënshkrimin e një pakti dypalësh sigurie me Ishujt Solomon në prill, i cili u përball me kritika të forta nga Australia dhe SHBA-ja. Si pjesë e misionit të ri diplomatik, delegacioni kinez vizitoi edhe një herë Ishujt Solomon, si dhe Kiribatin e Samoan, përpara se të nisej për në Fixhi.

Qeveria e re laburiste e Australisë është zotuar të rrisë praninë e saj në Paqësor.