Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadorja franceze për “non gratën” e Berishës: Jemi solidarë me SHBA, respektojmë qëndrimin e tyre


Ambasadorja e Francës në Shqipëri Elisabeth Barsacq, ka treguar qëndrimin që mban shteti që ajo përfaqëson në lidhje me shpalljen “non grata” të Sali Berishës.

E pyetur nga gazetari Endri Xhafo, gjatë një interviste për emisionin “Log”, ambasadorja tha: “Franca do të rreshtohet gjithmonë krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Zonja Barsacq theksoi se Franca është aleati më i mirë i SHBA-ve dhe se respekton mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë.

“Franca është solidare me Shtetet e Bashkuara. Gjithmonë! Ne themi gjithmonë në lidhje me Shteteve të Bashkuara se ‘ne jemi aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara’. Pikëspari sepse në planin e mbrojtjes, nëse ka një vend që nuk ka rreshtur së financuari mbrojtjen, është pikërisht Franca. Buxhetet tona të mbrojtjes janë konsistente. Mos harrojmë se në nivel kombëtar kemi marinën e dytë më të madhe në NATO, pas asaj të Shteteve të Bashkuara. Mënyrën se si Shtetet e Bashkuara konsiderojnë personin në fjalë, ne e respektojmë.”-u shpreh ambasadorja.

Barsacq u pyet gjithashtu nëse e ka ftuar Berishën në festimet e 14 korrikut, ditës së Festës Kombëtare të Francës.

Kësaj ambasadorja iu përgjigj: “Ne nuk ftojmë persona që janë objekt, – dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin në fjalë, – por ne nuk ftojmë persona që janë objekt i një situate të veçantë përkundrejt Shteteve të Bashkuara, domethënë, pa akses në territorin e Shteteve të Bashkuara.”

Xhafo e pyeti ambasadoren nëse drejtësia shqiptare duhet të nisë një hetim për ish-kryeministrin Berisha lidhur me shpalljen e tij “non grata” dhe akuzat për korrupsion. Ajo u përgjigj shkurtimisht duke thënë se
kësaj pyetje duhet t’i përgjigjen shqiptarët: “Nuk më takon mua. Unë vëzhgoj ç’bëjnë shqiptarët.”

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e ABC News