Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Deri në orën 11 kanë votuar 14 mijë e 12 anëtarë


Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi, në një deklaratë për mediat ka bërë me dije pjesëmarrjen në zgjedhjet që po organizohet nga Komisioni i Rithemelimit në PD për kryetarin e ri.

Vokshi ka deklaruar se procesi vijon normalisht dhe se deri në orën 11:00 kanë votuar në 108 qendra votimi për kreun e ri të PD-së 14012 anëtarë.

Lidhur me numrin e plotë të anëtarësisë, Vokshi shpjegoi se është një punë në progres si dhe listat që janë përdorur janë ato të 2019 por që po lejohen dhe janë lejuar edhe anëtarë me karta anëtarësie ndër vite të përdorura.

Është në fakt një punë në progres. Ne ju kemi bërë me dije si komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale që lista me të cilën është punuar gjatë votimeve të fundit është e vetmja listë e plotë e gjetur në PD, e 2019 dhe kemi pranuar se është një listë fiktive. Pra, askush nuk e di se sa është numri real i anëtarësisë së PD-së pasi listat kanë qenë tepër të fryra. Pas votimeve të referendumit siç dhe ju kemi bërë me dije ka pasur shumë demokratë të cilët kanë votuar me kartat e tyre të anëtarësisë në PD, kartat që nga 1990 dhe ndër vite. Gjë e cila ka vijuar dhe për primaret. Pavarësisht se kemi shtuar anëtarësinë që ka votuar për referendumin, edhe në primare, por edhe në votimet për kryetar të PD-së janë paraqitur pranë qendrave të votimit anëtarë të PD-së të cilët kanë votuar me karta.
Kjo do të ndodhë, jam e sigurt edhe sot. Pra, sot ne kemi vënë në dispozicion listën e 2019 me të gjitha shtesat gjatë votimeve të fundit, domethënë në muajt e fundit. Do t’ju japim raportin final në fund të këtij procesi, bashkë me shtesat e fundit
”, deklaroi Vokshi.

Ajo kujtoi se gjatë votimeve të fundit që janë zhvilluar në PD, duke nisur nga referendumi, ku kanë marrë pjesë rreth 43 mijë anëtarë të PD-së, pa primaret sepse ishin vetëm në 6 degë, por në zgjedhjet për kryetar të degëve, me parimin një anëtar, një votë, pa dy degë janë 39512 anëtarë.

Këtu ka variuar 40-43 mijë anëtarë të PD-së që kanë votuar në zgjedhjet e fundit në PD. Sigurisht ne do t’ju informojmë për çdo gjë, për çdo shifër, nëse do ketë problematika ditën e sotme.

Komisioni ka qenë në punë deri në orët e para të mëngjesit. Deri pas mesnate kemi pritur kërkesa nga kandidatët. Procesi ka qenë shumë i qetë deri tani.

Parimi ynë, t’i jepet e drejta çdo demokrati. Arsyeja pse kemi vendosur të përdorim listat e 2019, sepse ishin më të plotat. Nuk kemi dashur të ndodhë ajo që ka ndodhur herët e tjera, nëse kryetarit nuk i pëlqen t’i hiqet emri nga lista. Më mirë kemi preferuar të mbajmë listat e fryra, që kushdo që paraqitet në qendrën e votimit, të ketë të drejtën të votojë.

Elezi, përfaqësuesi i tij që në momentin që është regjistruar si kandidat ka pasur akses të plotë te listat. Në database të partisë ka dhe të dhëna personale, pasi kanë firmosur një deklaratë, kanë pasur akses të plotë”, deklaroi Vokshi.

Ajo tha më tej se votat do të numërohen në çdo qendër votimi. Sipas saj, rezultati do të dalë shumë shpejt.

Duke qenë se sot është një nga ditët më të rëndësishme jo vetëm për PD-në, por dhe për Shqipërinë, doja të ftoja të gjithë anëtarët të dalin për të votuar”, u shpreh Vokshi.