Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi takohet me Hohmann dhe ambasadorët e vendeve të BE-së: Kërkova mbështetje për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit


Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është takuar sot me ambasadoren e Delagacionit të BE-së në Tiranë, Christiane Hohmann si dhe ambasadorët e vendeve të tjera të unionit.

Në një postim në rrjetet sociale, Çuçi tha se ka ndarë me diplomatët e Bashkimit Europian edhe vizionin për reformimin e Policisë Kriminale, si një hallkë e rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar.

Një tjetër çështje e rëndësishme që diskutuan ishte sulmi kibernetik ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit.

“Falënderoj ambasadoren e Delagacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann për ftesën për të marrë pjesë në një bisedë të hapur me ambasadorët e vendeve anëtare të unionit, mbi rezultatet dhe sfidat në fushën e punëve të brendshme teksa rrugëtimi ynë drejt aderimit të plotë ka marrë një ritëm të ri. Pata mundësinë të diskutoja me ta për çështje që lidhen me Kapitullin 24 në procesin e negociatave me BE-në dhe ndava vizionin tonë për reformimin e Policisë Kriminale, si ‘kali ynë i betejës’ në luftën kundër krimit të organizuar. Shpreha gjithashtu shqetësimin për sulmin kibernetik dhe kërkova mbështetje nga vendet e BE-së për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit. Shqipëria jep një kontribut të qënësishëm në sigurinë e unionit kur vjen puna tek adresimi i sfidave të përbashkëta si flukset migratore të paligjshme; lufta kundër trafikut të drogës; kontrabandimi; trafiku i qënieve njerëzore; pastrimi i parave dhe çdo formë tjetër krimi transnacional.”- shkroi Çuçi ndërsa publikon disa foto nga takimi.