Vendosni fjalën kyçe....

A mund të transferohet në SPAK dosja e Aleks Nikës? Arben Kraja: Nuk është në kompetencën tonë ta përcaktojmë


Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Arben Kraja ka paraqitur sot raportin për vitin 2021 të institucionit që ai drejton. Ai iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të deputetëve të opozitës dhe të maxhorancës.

Deputeti i PS-së Plarent Ndreca e pyeti Krajën nëse ka mekanizma ligjorë që dosja e vrasjes së Aleks Nikës në 21 janar të transferohet te SPAK.

“Aleks Nika është vrarë më 21 Janar. E ndjej detyrim të pyes a ekziston ndonjë mekanizëm ligjor të transferimit të dosjes nga prokuroria e Tiranës drejt SPAK? Pas reformës pesha e kësaj dosje lidhet më shumë me kompetencat e SPAK.”– ishte pyetja e drejtuar nga Ndreca.

Kraja u përgjigj se është Prokuroria e Tiranës ajo që duhet të bëjë fillimisht vlerësimin.

“Kur një procedim penal është pranë një prokurorie është ajo kompetente për të vlerësuar se çfarë ka në dosje dhe për të parë nëse ka elementë që nuk janë kompetencë e saj por të një prokurorie tjetër.

Mbi këtë bazë i drejtohen aktet një prokurorie tjetër që në këtë rast është SPAK i cili i vlerëson dhe vendos ta pranojë apo mos ta pranojë. Edhe ai rast duhet të zgjidhet në këtë formë.”- përgjigjet Kraja.