Vendosni fjalën kyçe....

Pas rastit të Sarandës Artan Lame paralajmëron punonjësit e Kadastrës: Mos u joshni nga shuku i parave, do merrni veten në qafë


Kreu i Kadastrës, Artan Lame i ka kërkuar falje qytetarëve për rastin e denoncuar një ditë më parë në një emision investigativ, ku shefi i Kadastrës së Sarandës shfaqej në video duke i kërkuar para një qytetari për legalizim.

“Mund të them se duhet të jesh tërësish idiot për të mos kuptuar se ç’po bëhet vitet e fundit, në luftën kundër korrupsionit. Është rast i veçuar dhe jo i përhapur. Mund të them shumë gjëra të këtij lloji, por nuk do e them. Do i kërkoj ndjesë shqiptarëve në emër të institucionit që drejtoj. Do i kërkoj ndjesë edhe punonjësve të ndershëm të Kadastrës.”- tha Lame.

Në një prononcim për mediat, Lame ka paralajmëruar të gjithë punonjësit e Kadastrës të mos joshen nga paratë ndërsa për rastin e Sarandës theksoi se ka një kallëzim penal.

“Preferoj t’i largoj vetë personat problematikë dhe pastaj mundohem të ndreq sistemin. Është çështje sistemi. Në Sarandë është bërë një kallëzim penal, që ndoshta do e dëgjoni nga Prokuroria për drejtorinë e atjeshme.

Vetëm në muajt e 2022 janë larguar 35 punonjës që nga specialisti i thjeshtë dhe deri tek drejtorë rajonal. Janë kallzuar në prokurori 8 raste. Janë marrë masa për 122 punonjës. Prapë raste ka. Të gjithë ne, që nga unë, deri tek punonjësi i fundit i Kadastrës jemi të paragjykuar. Punojmë në një sektor që është delikat.

Përpiqemi të vendosim rregull në një sektor që prej vitesh ka qenë merr dokumentin dhe ik. Ajo që po ndodh me shërbimet online, po ndryshon shpejtësia e shërbimeve për qytetarët. Është epokale për uljen e nivelit të prekjes së xhepave të qytetarëve. Mos merrni veten në qafë. Mos u joshni para shukut të parave. Ju drejtohem qytetarëve që kanë lidhje me funksionin e Kadastrës. Kini besim në këtë institucion, dhe jo në tryezat e restoranteve. Kini besim tek sistemi, por edhe tek unë. Ata qindra që punojnë me vendosmëri.” – tha Lame.