Vendosni fjalën kyçe....

Dy biberona për Dritan Prençin dhe Vladimir Marën e SPAK-ut


Dy çunat e SPAK që kaluan Vettingun, e jo me pak probleme, tashmë janë prokurorë të SPAK që kanë në duar dosje të nxehta hetimore, por duket se kanë nevojë për nga një biberon secili. Biberon të madh me qumësht. Ndoshta ti rrisë, t’iu mbushë barkun, ti ngrohë e t’ju hapë sytë.

Sepse nga ana tjetër, mesa duket, duhet edhe të ngopen për të mos i lënë më shumë në gjumë, ashtu siç ata, kanë vënë dosjet korruptive të inceneratorëve.

Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, janë dy prokurorët që kanë në duar dosjet e inceneratorëve të Fierit dhe të Tiranës. Dy nga skandalet më korruptive, të cilat kapin vlerën të paktën 156 milionë euro. 28 milionë euro inceneratori i Fierit dhe 128 milionë euro ai i Tiranës.

I pari nuk është ende në funksion dhe i dyti nuk ekziston. Edhe pse kontrata e incenerimit të Tiranës ka pesë vite që është firmosur.

Nga ana tjetër prokurorët e SPAK, këta dy persona kanë përballë kolegun e tyre, Klodian Brahon, i cili në fakt me inceneratorin e Elbasanit, me disa dokumenta kryqëzoi kompanitë e ndryshme sipas mandat-pagesave, dhe kapi ish-ministrin e Mjedisit.

Por, nga kjo histori po kërkon të shpëtojë një tjetër emër. Një personazh tjetër, Alqi Bllako. Kërkon të shpëtojë edhe ndonjë personazh tjetër si Engjëll Agaçi, e të tjerë me radhë. Struktura piramidë të ministrisë së Mjedisit dhe Qeverisë shqiptare, të cilët janë përgjegjës për gjithë këtë proçes korruptiv, që shkon nga 178 milionë euro në 430 milionë euro.

Një proces ku janë përfshirë dhe mediat. Janë blerë si “mall” në tregun çam, për reklama, televizionet kryesore në vend, kompanitë kryesore mediatike.

E kështu Dritan Prençi dhe Vladimir Mara mbase duan pak qumësht, biberon të rriten, të kenë kurajo, të zbardhin të vërtetën, të cilën në fakt e ka zbardhur media ditë pas dite.

BIRN, CNA.al, kanë sjellë dokumente dhe fakte ekskluzive. Si lidhen mediat, si paguhen ato, cilat janë kompanitë e përfshira, kush janë personat, si funksionojnë kompanitë zinxhir.

Midis tyre lehtësisht do të gjejnë skandalet me ujësjellësat. Sesi janë zhytur në borxhe bashkitë për matësa apo investime që nuk funksionojnë. Sesi ITS, kompania mëmë e trurit Klodian Zoto dhe e Mirel Mërtirit, kryen punimet në Fier, në Elbasan, në Tiranë. Por, edhe tek landfilli i Vlorës. Por, edhe si ka fituar tendera të tjerë publikë, për investime nga ministri të ndryshme.

Dritan Prençi dhe Vladimir Mara kanë nevojë për biberon. Ndoshta që të rriten dhe për të zbuluar se janë prokurorë. Dhe se janë personat ku shqiptarët kanë shpresë se do të vendoset drejtësi mbi taksat e tyre, mbi korrupsionin qeveritar. E duhet të kuptojnë se shqiptarët kanë shpresë të dinë të vërtetën dhe jo të presin, të mbarojnë biberonin Dritan Prençi dhe Vladimir Mara.

Biberonin me qumësht që i jep Qeveria, ndonjë zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, godina e Kryeministrisë, apo vetë firmat e inceneratorëve, të cilat qartazi duket se janë të zhytura në këtë aferë korruptive. Pronarët e tyre janë shpallur në kërkim nga një koleg i Dritan Prençit dhe Vladimir Marës.

Por, kanë shpëtuar të tjerë emra, të cilët vazhdojnë e qarkullojnë lehtësisht në Tiranë. Të tjerë janë në parlament, të tjerë në Qeveri. Për një aferë, që Dritan Prençi dhe Vladimir Mara prej dy vitesh e kanë në zyrë, pas kallëzimeve të bëra nga PD.

Por, përtej tyre ka me dhjetëra kallëzime të tjera, të bëra edhe nga Nisma Thurje, edhe nga mediat, të cilat çunat vazhdojnë të mos i shohin, por mbajnë biberonin në gojë dhe flenë gjumë.

Ndoshta kur të mbarojnë biberonin, do t’iu hapen sytë, dy prokurorëve të SPAK për të vepruar, për të hetuar, për të zbardhur të vërtetën e një skandali korruptiv që nuk fillon dhe nuk mbaron tek Lefter Koka. Dhe që nuk mund ta mbyllë Dritan Prençi e Vladimir Mara, e çdo “SPAK-ar” tjetër, me biberon apo pa biberon në gojë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al