Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç: I frikësohem bisedimeve me Scholz për Kosovën


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “trembet” përpara udhëtimit në Berlin, ku pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Duke folur gjatë një vizite në Greqi, Vuçiç tha se “druan” nga bisedimet me Scholzin dhe se nuk pret që ato “të jenë të lehta”.

Scholz ka ftuar Vuçiçin dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në bisedime të ndara, më 4 maj.

Atyre do t’iu bashkëngjitet edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Lajçak pritet të zhvillojë edhe një takim të përbashkët me Kurtin dhe Vuçiçin.

Nëse realizohet, ky do të jetë takimi i parë Kurti-Vuçiç që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.