Vendosni fjalën kyçe....

Rama i drejtohet Zelensky-t: I gjithë kombi ynë, përfshirë edhe Kosovën është rreshtuar krah jush


Pas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, në Kuvendin shqiptar fjalën e mori kryeministri Edi Rama. Ai u shpreh se mbështetja për Ukrainën ka qenë e palëkundur në Parlamentin shqiptar.

 “Ky parlament që sot ka nderin të t’ju dëgjojë, janë shumë të rralla rastet kur në këtë parlament palët kanë rënë dakord dhe mbështetja e Ukrainë është një nga rastet edhe më ralla ku të gjithë në kemi qenë dakord për mbështetjen e Ukrainës pa as më të voglin diskutim.. I gjithë kombi ynë përfshirë edhe shtetin tjetër shqiptar Kosovë i rreshtuar krah jush me çdo gjë kemi mundur.”- tha Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se Shqipëria është modeste në dhënie ndihme, por nuk ka kaluar shumë kohë qëkur populli shqiptar përjetoi të njëjtën histori. Sipas tij Shqipëria është e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj.

“Shqipëria është vend i vogël. Mundësitë tona për t’ju ardhur në ndihmë janë krejt modeste, krahasuar me mundësinë e sfidës suaj, kemi besuar se nëse në aspektin e mbështetjes materiale, Shqipëria e vlefshme për Ukrainën me zërin e saj, në NATO në OKB, ku kemi pasur nderin të jemi bashkënismëtarë të qëndrimeve kundër agresionit rus. Më 5 maj Shqipëria do jetë e pranishme në konferencën e ambasadorëve më 5 maj të thirrur nga Polonia në Varshave, do japim kontributin modest.”– tha Rama.

Kryeministri shqiptar u shpreh se të gjitha pamjet e kësaj tragjedie janë sakrifica e një populli liridashës dhe njëherazi shërbim për botën demokratike, ndërsa kujtoi një bisedë të vjetër me Zelenskyn.

“Të gjitha pamjet e kësaj tragjedie janë sakrifica e një populli liridashës dhe një shërbim i paçmuar që ju dhe vendi juaj po i bëni të gjithë botës demokratike. E kujtoj shpesh bisedën tonë në Kiev ku ju thonit që ukrainasit të kishin shtëpitë e tyre të dyta në Shqipëri.

Unë e besoj se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin nga lufta nesër dëshira juaj që ata të vijnë këtu në shtëpitë e tyre të dyta do të bëhet realitet. Ju shpreh në emër të Shqipërisë dhe shqiptarëve respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe Ukrainën heroike.”- u shpreh Rama.

Seanca u përmbyll me fjalën e kryeparlamentares Lindita Nikolla. “Shqipëria dhe shqiptarët janë me Ukrainën. Sllava Ukraina (Lavdi Ukrainës).”