Vendosni fjalën kyçe....

Direkt pas mesazhit të Zelensky-t, Berisha bën thirrje: Të anulohen vizat për rusët, të dëbohet ambasadori rus dhe të tërhiqet ambasadori ynë nga Moska


Ish-kryeministri Sali Berisha në fund të seancës së sotme plenare ka bërë thirrje që të anulohen vizat turistike për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në vendin tonë.

“Ka qenë një vendim absurd shpallja e ftesa e Ramës për turistët rusë në Shqipëri.

Imagjinoni vrasës, përdhunues, pasi kryejnë masakra të vijnë e të dynden në plazhet tona për të rikuperuar për të marrë veten kjo ishte një fyerje e rëndë për ju që ndoqet fjalën e Zelensky kjo ishte dhe një kërkesë e tij.

Çfarë ishte ky gjest mes kësaj barbarie kjo ftesë për rusë të cilët po bëjnë luftën më të padrejtë në tërë historinë e tyre të gjatë.

Ndaj kërkoj me urgjencë që të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri.”– tha Berisha jashtë Parlamentit.

Kërkesa e tij vjen menjëherë pas video-mesazhit me të cilit iu drejtua Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ligjvënësve shqiptarë, i cili kërkoi mbylljen e porteve për anijet ruse dhe kufizimin e ardhjeve të turistëve rusë.

Po ashtu Berisha tha se Shqipëria duhet të largojë ambasadorin rus nga Tirana dhe të tërheqë ambasadorin shqiptar nga Moska.

 “Kërkoj largimin e ambasadorit rus nga Tirana dhe tërheqjen e ambasadorit shqiptar nga Moska.

Zvogëlimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Rusinë si një dëshmi ndaj një qëndrimi të papajtueshëm ndaj një vendi të lirë. Shpreh solidaritetin tim më të madh për Ukrainën dhe popullin e saj.”- deklaroi Berisha.