Vendosni fjalën kyçe....

Macron i premton Zelenskyt më shumë armë


Presidenti Emmanuel Macron i ka premtuar homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelensky se Franca do të “përforcojë” ndihmën ushtarake dhe humanitare për Kievin.

Gjatë një bisede telefonike të shtunën, më pak se një javë pas rizgjedhjes së Macron, Zelensky falënderoi udhëheqësin francez për furnizimin e Ukrainës me pajisje ushtarake “të mëdha”, të cilat “kontribuuan në rezistencën e Ukrainës”, tha Pallati Elysee në një deklaratë.

Macron “tregoi se kjo mbështetje do të vazhdojë të forcohet, si dhe ndihma humanitare e ofruar nga Franca”. Zyra presidenciale vuri në dukje se Franca tashmë i ka ofruar Ukrainës “më shumë se 615 ton pajisje, duke përfshirë pajisje mjekësore, gjeneratorë për spitale, ushqim, mallra shtëpiake dhe automjete të urgjencës”.

Zelensky tha së fundmi se partnerët e Ukrainës më në fund kanë filluar t’i ofrojnë Kievit disa nga armët e rënda që ajo kishte kërkuar. Kjo ndodhi pasi Franca dhe Kanadaja njoftuan planet e tyre për të dërguar për herë të parë sisteme artilerie me rreze të gjatë.

Rusia, ndërkohë, ka paralajmëruar Perëndimin kundër “furnimizimit” të Ukrainës me armë, duke thënë se kjo do të çonte vetëm në një zgjatje të konfliktit. Moska e ka bërë të qartë se do të konsideronte çdo armë të huaj në territorin ukrainas si një objektiv legjitim.

Macron i premtoi gjithashtu Zelenskit se një ekip ekspertësh francezë do të vazhdojë të mbledhë prova në lidhje me krimet që dyshohet se janë kryer “brenda kornizës së agresionit rus”.

Që nga fillimi i sulmit ushtarak të Rusisë, Moska dhe Kievi akuzuan njëri-tjetrin për kryerjen e krimeve të luftës.

Gjatë bisedës telefonike, e cila zgjati afërsisht një orë, lideri francez “ripohoi dëshirën e tij për të punuar aktivisht gjatë mandatit të tij të dytë për të rivendosur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës” në koordinim të ngushtë me aleatët evropianë.

Macron përsëriti gjithashtu “shqetësimin e tij të thellë” mbi “bombardimet ruse të qyteteve të Ukrainës” dhe “situatën e padurueshme në Mariupol” pavarësisht “thirrjeve të përsëritura drejtuar presidentit rus për të respektuar të drejtën ndërkombëtare humanitare”. Moska mohon se ka shënjestruar ndonjëherë civilët në Ukrainë dhe pretendon se uzina e çelikut Azovstal mbetet bastioni i fundit nën kontrollin ukrainas në Mariupol, me luftëtarët e regjimentit famëkeq neo-nazist Azov dhe njësi të tjera të strehuar atje.

Presidenti francez shprehu shpresën e tij për përparim në negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se bisedimet mund të sjellin “një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit dhe një kthim të sigurisë në kontinentin evropian”.