Vendosni fjalën kyçe....

Gjigandi austriak energjetik: Shumë e vështirë për Evropën të zëvendësojë gazin rus


Zëvendësimi i gazit rus për Evropën me burime të tjera do të jetë pothuajse i pamundur për një periudhë të afërt kohore. Të paktën kështu ka deklaruar Alfred Stern, i cili është CEO-ja i kompanisë austriake të naftës dhe gazit OMV.

“Për sa i përket furnizimit me gaz për Evropën, mendoj se duhet të jemi mjaft të qartë, se në afat të shkurtër do të jetë shumë e vështirë për Evropën nëse jo e pamundur të zëvendësojë rrjedhat e gazit rus.”- tha Stern në një intervistë për “Squawk Box” të CNBC, sipas RT.

Komentet e Stern vijnë pas thirrjeve të përsëritura nga shumë vende evropiane për të reduktuar varësinë nga energjia ruse për shkak të operacionit ushtarak të Moskës në Ukrainën fqinje.

“Nëse shikoni e shikoni të plotë panoramën evropiane, sasitë thjesht funksionojnë në atë mënyrë që ne nuk do të jemi në gjendje të zëvendësojmë në afat të shkurtër sasinë e plotë me prodhimin evropian ose importet nga burime të tjera.”- tha ai, duke shtuar se kapaciteti për marrjen e gazit nga eksportuesit e tjerë mund të rritet me kalimin e kohës, por jo në afat të shkurtër.

Stern tha gjithashtu se OMV aktualisht është duke analizuar kërkesën që ka marrë nga kompania ruse e energjisë Gazprom për pagesën në rubla, në një përpjekje për të marrë zgjidhjen e duhur.

“Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje në përputhje me sanksionet se si ta çojmë këtë përpara. Jemi në mes të kësaj pune dhe nuk mund të komentoj se cili do të jetë rezultati.”- shtoi Stern.

Kujtojmë se në muajin mars, Rusia kërkoi që shtetet armiqësore, të cilat kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Moskës, ta paguajnë gazin rus në rubla. Por Brukseli thotë se kjo skemë do të shkelte sanksionet e lidhura me Ukrainën.