Vendosni fjalën kyçe....

Nano betohet si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë: Qytetarët ta konsiderojnë policinë si partner


Gledis Nano është betuar sot si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Në ceremoninë zyrtare, ai ka thënë se nuk e ka zgjedhur këtë profesion për të bërë karrierë po është frymëzuar nga i ati, një ish-oficer policie.

Nano tha se policin e presin sfida të shumta ndërsa u kërkoi qytetarëve që ta konsiderojnë policinë si partner.

“I nderuar kryeministër, në këtë çast solemn në shenjë nderimi detyrimi dhe respekti për gjakun e punonjësve të policisë, ne emër të të gjithë punonjësve të policisë së Shtetit, në nderin tim personal, betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit. Betohem! Besimi i kësaj detyre përveç privilegjit më ngarkon me përgjegjësi për të qenë ne lartësinë e detyrës. Profesioni im nuk ishte një zgjedhje karriere, por pasion i frymëzuar nga babai im, ish-oficer policie. Në këto dekada kam kuptuar se ky institucion është një pjesë kryesore e jetës sime që kërkon angazhim të lartë. Sfidat për policinë janë të shumëfishta. Qytetarët presin nga Policia e Shtetit standarde të tjera reagimi dhe sjelljeje në zgjedhjen e shqetësimeve të tyre dhe ne do bëjmë ç’ështe e mundur për t’i arritur. Kërkoj prej tyre ta konsiderojnë organizatën tonë si një partner. Roli i tyre është i pazëvendësueshëm në punë tonë. Prioriteti im, intensifikimi i bashkëpunimit me të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët. Një polici më e trajnuar. Dua t’i uroj çdo kolegu suksese në përmbushjen e detyrës. Kërkoj angazhimin tuaj maksimal në realizimin e detyrave sipas betimit që kemi bërë.” – tha Nano.