Vendosni fjalën kyçe....

Erion Veliaj: Para 7 vitesh Tirana s’kishte asnjë metër korsi biçikletash, sot ka 52 kilometra


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ishte i pranishëm sot në një aktivitet për promovimin e biçikletave në qytet, ku deklaroi se para 7 vitesh kryeqyteti nuk kishte asnjë metër korsi biçikletash ndërsa sot ka 52 kilometra.

“Secili prej jush, – iu drejtua ai të rinjve përdorues të biçikletës – duhet të japë një shembull. Media më e mirë nuk është as televizori, as radio, as Facebook, as Instagrami, as TikTok; media më e mirë është një çun ose një gocë që i thotë një çuni ose një goce tjetër, se duhet të pedalosh. Për të gjithë ata që thonë ‘nuk bëhet’, ju them se para 7 vitesh nuk kishim asnjë metër korsi, sot kemi 52km korsi biçikletash, por mund të shkojmë edhe më shumë.”-tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh ndryshimi vjen ngadalë, por shtimi në masë i korsive të biçikletave në Tiranë dhe organizimi i ditëve pa makina çdo të dielë, sipas tij janë një “lajm i shkëlqyer”.

“Tirana po rritet me ritme të shpejta dhe ne duhet të marrim një vendim: Ose do e bëjmë qytetin parkingun më të madh në botë, me 200 mijë makina, ose do gjejmë mënyra alternative për të lëvizur. Në 4 korsitë e biçikletave më kryesore të Tiranës, në një ditë kanë lëvizur 18 mijë çiklistë. Pyetja është kjo: Është më mirë që këta 18 mijë vetë të ishin me biçikletë në rrugë, apo me makinë? Nëse do ishin me makinë, sot do të kishte më shumë trafik.”– shtoi Veliaj. 

Aktiviteti “Orange Bike Week” është oganizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Holandës për promovimin e biçikletave në qytet, si dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve ulin përdorimin e makinës.