Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Rithemelimit reagon pasi Apeli pranoi ankimimin e Alibeajt: Ai nuk është palë dhe as nuk duhej marrë në shqyrtim


Komisioni i Rithemelimit ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të marrë në shqyrtim ankimin e Enkelejd Alibeajt ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të 11 Dhjetorit.

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit Ivi Kaso tha se njohja e Kuvendit është vendim i ligjshëm.

Ndërsa ka theksuar, se personi që ka bërë ankimin (duke iu referuar Alibeajt) nuk është palë për të bërë ankimimin. Për këtë arsye sipas tij, Gjykata duhet të bënte një kontroll formal dhe jo të japë të drejtën se kush e përfaqëson Partinë Demokratike.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një palë që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike.

Me provat që janë në dosjen gjyqësore, nuk mund të mos njihet statuti i 11 dhjetorit.
I ashtuquajturi ankim nuk përmbush asnjë nga kriteret ligjore, personi që ka paraqitur kërkesën nuk është palë, dhe as përfaqësues legjitim të ndonjë pale për shqyrtimin e çështjes.

Në bazë të ligjit, Gjykata duhej sot vetëm të verifikonte nëse ankimi është firmosur nga pala e autorizuar dhe sipas vendimarrjeve të njëpasnjëshme të Gjykatës së Lartë, Apeli duhet të rrëzonte këtë kërkesë.

Limiti standard është mbajtur nga gjyqtarja Blerina Muça, kërkesa jonë për të qenë pjesë e procesit në Kuvendin e Korrikut, ajo e refuzoi, edhe sot bëri të njëjtën gjë.

Nuk është ky vendimi i parë i marrë nga Gjykata e Tiranës, këto palë nuk duhet as të merren në shqyrtim e jo më të pranohet kërkesa e tyre. Pala që përfaqësohet nga deputeti Alibeaj, nuk ka qenë palë në proces dhe si e tillë nuk legjitimohet. Ky vendim është pranuar dhe vetë nga pala e cila sot pretendon se ka të drejtë të ankimojë.”- deklaroi Kaso.

Gjykata e Tiranës vendosi sot të njohë Enkelejd Alibeajn si palë ankimuese në çështjen për njohjen e Statutit të Kuvendit të 11 Dhjetorit të PD-së. Sipas Gjykatës, ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv apo i paligjshëm dhe çështja do të merret në shqyrtim.