Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori Zingraf: Zhvillimet në PD i kam parë me keqardhje


Ambasadori gjerman Peter Zingraf ka komentuar situatën në të cilën ndodhet sot Partia Demokratike.

Gjatë një interviste për “News 24”, Zingraf është shprehur i keqardhur për situatën në PD, ndërsa thekson së Shqipëria ka nevojë për një opozitë të bashkuar që të jetë efektive.

“Këto zhvillime i kam parë në njëfarë mënyre, me keqardhjen që zakonisht i shikojnë miqtë e vendit tuaj. Pikërisht për faktin që opozita që është kaq e nevojshme për vendin, për momentin është e përçarë. Unë do t’i uroja vetë Partisë Demokratike të ribashkohet, të bëhet e fortë sërish, efektive, që në procese të cilat ajo është e përfshirë dhe do të përfshihet, të jetë transparente dhe në perputhje me shtetin ligjor sikundër të gjejë edhe një udhëheqës të orientuar për nga e ardhmja, ku të flitet rreth përmbajtjes dhe jo personave.”- u përgjigj Zingraf.

Ambasadori gjerman u pyet edhe për qëndrimin që mban vendi i tij për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH.

Por ai konsideroi se nuk ishte me vend ta komentonte këtë.

“Mendoj se kam thënë gjithçka çka mund të thoja rreth situatës brenda kësaj partie. Mendoj se çështje të tilla të brendshme nuk do të ishte vendi të komentoheshin prej meje.”- u përgjigj ai.

Zingraf gjatë kësaj interviste foli edhe për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk dëshiroj të komentoj gjërat që kanë të bëjnë me cështjet e brendshme të vendit megjithatë do të jepja disa ide sesi do të ishte në Gjermani. Mendoj se rolet e Presidentit federal në Gjermani dhe Presidentit shqiptar në këndvështrim kushtetues janë role të konceptuara në mënyrë të ngjashme, pra janë personalitete shtetërore të cilët qëndrojnë mbi partitë dhe të cilët nuk kanë funksione ekzekutive.

Në Gjermani është e rëndësishme që presidenti federal, flas presidenti sepse deri tani kanë qenë të gjithë burra, uroj një ditë që të zgjedhim një grua në këtë pozicion, të qëndrojë mbi politikat që merren në kuadër të interesave partiake, të shkëputet prej tyre, të qëndrojë mbi partitë dhe të punojë për të gjithë vendin dhe qytetarët e vendit.

Unë do të dëshiroja pikërisht që shqiptarët dhe në Shqipëri të mund të zgjidhej një president i cili të përfaqësojë këto cilësi. E di që është diçka sfiduese veçanërisht në një panoramë politike të përçarë dhe problematike sikundër është e këtushmja por mendoj se do të ishte një shans i mirë që të mund të rikrijohej në njëfarë mase edhe besimi tek politika.”- tha Zingaf.