Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Rama i lidhur me krimin, përgjegjës për moshapjen e negociatave deri sot. Integrimi me të mision i pamundur


Kreu i PD-së Berisha e ka quajtur një arritje të madhe për shqiptarët çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ai rendit disa hapa deri në mbërritjen e ditës së sotme si nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në vitin 2006, pranimin nga BE-ja të statusit kandidat në vitin 2009, heqjen e vizave për vendin në vitin 2010 dhe marrjen e statusit kandidat në vitin 2012.

Berisha përmend gjithashtu se Rama e bllokoi përparimin e integrimit dhe se ai që sot përfaqëson Shqipërinë në Bruksel është shkaku kryesor i kundërshtimit të hapjes së negociatave pesë herë vitet e fundit dhe i mosplotësimit ë kushteve të vëna për Shqipërinë duke përmendur deklaratën e sotme të CDU-së gjermane.

Berisha shkruan gjithashtu se Rama është i lidhur e krimin dhe korrupsionin si dhe kontrollon gjyqësorin dhe mediat në vend e për këtë arsye përparimi i negociatave është mision i pamundur.

Në fund ai thekson se Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do e shpëtojë vendin nga regjimi i Ramës e do përshpejtojë integrimin e vendit.

“Hapja e negociatave të Shqipërisë me BE një arritje e madhe për shqiptarët!

Të dashur miq, sot në Bruksel u zhvillua ceremonia zyrtare për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Duke përshëndetur këtë akt dhe falënderuar me mirënjohje të thellë Bashkimin Europian për vendimin fisnik ndaj Shqipërisë, që vjen pas firmosjes së Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE në vitin 2006; pas pranimit nga BE-ja të kërkesës së Shqipërisë për vend anëtar në vitin 2009; pas akordimit heqjes së vizave për Shqipërinë në vitin 2010 dhe pas dhënies së statusit të vendit kandidat nga Komisioni Europian në vitin 2012, të cilin e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit, kjo është një arritje madhore e bazuar në arritjet e përmendura më sipër.

Më këtë rast, Partia Demokratike, duke mbështetur plotësisht vendimin e Këshillit Europian, thekson se Edi Rama, njeriu që përfaqëson sot Shqipërinë në Bruksel, me lidhjet e tij të tmerrshme me krimin dhe korrupsionin, qëndrimin autokratik ndaj mediave dhe kontrollin e gjyqësorit është shkaku kryesor:

1- i refuzimit të hapjes së negociatave 5 herë në këto vite.

2- i mosplotësimit të kushteve, siç deklaron rezoluta e fundit e Parlamentit Europian dhe deklarata e sotme e përfaqësuesve të CDU-së në Bundestagun gjerman.

PD thekson se sot negociatat u hapën në Bruksel pasi Edi Rama ka vendosur në Shqipëri, duke dhunuar votën e shqiptarëve, monizimin e plotë, pushtetin një partiak të njëjtë me janarin e vitit 1990.

Ne këtë kontekst, PD beson se progresi i Shqipërisë në rrugën e negociatave me BE-në është mision i pamundur. Por Partia Demokratike siguron shqiptarët se, Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do të shpëtojë shpejt vendin nga regjimi i Ramës, dhe me reforma të thella dhe të gjithanshme, rruga e integrimit të vendit në BE do të njohë normalitetin dhe shpejtësinë që meriton! Sb” – shkruan Berisha.