Vendosni fjalën kyçe....

Porosia e fshehur e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut


Nga Xhelal Neziri

Ka kohë që në Maqedoninë e Veriut ka një garë për të dëshmuar fuqinë e bazuar në numra apo përqindje të një etnie. Thelbi i kësaj gare ka për bazë filozofinë se “sa më shumë shtetas ka një etni, aq më shumë të drejta gëzon”. Ose, e kundërta – “sa më pak shtetas që ka, aq më pak të drejta gëzon”. Kjo, deri diku, është e logjikshme dhe e pritshme për shkak se të drejtat kolektive të popujve në Kushtetutën e vendit janë rregulluar në atë mënyrë që të favorizojnë një garë të tillë. Për shembull, të drejtat gjuhësore të etnive joshumicë kanë një prag demografik – pra, i gëzojnë vetëm ato që janë mbi 20 për qind. Po të biesh ndër këtë prag demografik me automatizëm e humb të drejtën e përdorimit zyrtar të gjuhës. Njëjtë si në modelet zgjedhore që kanë prag, ku partitë që nuk kalojnë pragun nuk mund të fitojnë vende në Parlament. Apo në rastin e flamurit etnik – e përdorin etnitë vetëm në komunat ku janë mbi 50 për qind. Me përqindje lidhet edhe përfaqësimi i drejtë në administratë.

Si të ndalet ikja?

Kjo garë për dominim biologjik lë anësh garën e vlerave civilizuese midis etnive, garën e zhvillimit ekonomik midis komunave apo garën për avancimin e kualitetit të demokracisë. Kjo natyrisht se ka prodhuar etnizim të politikës, administratës dhe të demokracisë, dukuri që ka kontribuar që vendi të mos ketë një temp zhvillimi normal socio-ekonomik, i cili do të krijonte perspektiva të reja për të rinjtë.

Pse etnizimi përbën problem? Qytetari, apo shtetasi, është resursi kryesor i një shteti. Një shtet demokratik është funksional vetëm nëse të gjithë shtetasit janë të barabartë, pa marrë parasysh prapavijën e tyre familjare, sociale, etnike, religjioze, gjeografike apo gjinore. Identiteti etnik dhe religjioz i përket më shumë sferës private. Para shtetit të gjithë janë të barabartë. Kjo barabarësi nuk garantohet nga madhësia e një etnie, apo nga përqindja e saj, por nga një sistem politik që mbron të drejtat, veçoritë etno-kulturore, mundësitë e barabarta, lirinë dhe dinjitetin e çdonjërit që ka shtetësi, qoftë të jetë edhe një person i vetëm.

Gara biologjike midis dy etnive më të mëdha në vend – asaj maqedonase dhe shqiptare – duket se nuk ka prodhuar rezultatet e pritura te asnjëra palë. Në nivel shteti ka diku 185 mijë banorë më pak në krahasim me regjistrimin e vitit 2002, anipse në regjistrimin e fundit për banor rezident është llogaritur çdonjëri që brenda një viti ka qëndruar së paku një herë në Maqedoninë e Veriut (Në vitin 2002 Ligji i regjistrimit i definonte si rezidentë të gjithë ata që kanë qëndruar së paku një herë në vend në periudhë kohore prej gjashtë muajsh). Rënie më të madhe të popullsisë rezidente ka etnia maqedonase me 225 mijë më pak, ndërkohë që shqiptarët etnikë janë tkurrur për afërsisht 63 mijë banorë.

Në gati të gjitha komunat ka rënie të madhe të numrit të popullsisë. Duket se porosia e këtij regjistrimi është lodhja nga gara se cili do të dominojë biologjikisht. Në vend të kësaj, rezultatet imponojnë ndërtimin e politikave të tjera shtetërore, nëpërmjet të të cilave do të krijohet një e ardhme më optimiste për gjeneratat e reja. Nëse lëvizjet në numrin e popullsisë determinohen nga nataliteti, moratliteti dhe emigrimi, duket se kjo e fundit ka qenë më “meritore” në zbrazjen e vendbanimeve tona. Pra, problemi është si të ndalet ky hov i ikjes, si të de-etnizohet funksionimi i shtetit, si të demokratizohet Kushtetuta (me heqjen e 20%, 50% apo përqindjeve tjera), si të imponohet një garë tjetër më produktive në vend të asaj biologjike dhe si të rritet cilësia i demokracisë.

Rënie në të gjitha Komunat, përveç në Shkup

Në total, numri i banorëve rezidentë ka ra nga 2.1 në 1.8 milionë për një periudhë 20-vjeçare.

Tabela 1: Maqedonia e Veriut

Qyteti i Shkupit, ndërkohë shënon një rritje të popullsisë prej diku 20 mijë banorë. Maqedonasit etnikë kanë një rënie prej afër 30 mijë banorësh, ndërkohë që shqiptarët etnikë një ngritje prej afër 16 mijë banorësh.

 

Tabela 2: Qyteti i Shkupit

Të gjitha komunat tjera kanë një ulje të popullsisë deri më 50 për qind, apo për 20 vite kanë humbur gjysmën e banorëve. Gostivari, ndërkaq ka një rënie prej afër 22 mijë banorësh, prej të cilëve afër 20 mijë janë shqiptarë etnikë.

 

Tabela 3: Gostivari

Kërçova, e cila në vitin 2013 shkriu në kufijtë e saj katër komuna tjera rurale (Zajaz, Osllome, Drugovë dhe Vraneshticë), tani ka ra për 17 mijë banorë, nga të cilët 14 mijë janë shqiptarë etnikë.

 

Tabela 4: Kërçova

Dibra, poashtu, ka rënie prej 27 për qind, apo ka afërsisht 4.100 banorë më pak.

 

Tabela 5: Dibra

Në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut ka shumë komuna që madje janë përgjysmuar. Debarca, Novo Sello, dhe Zernovci kanë një rënie rekord prej afër 50 për qind, me nga 30 për qind kanë Kratova, Dellçeva, Demir Kapija, Demir Hisari, Konçe, Pehçevë, ndërkohë që komunat tjera lindore kanë mesatarisht rënie prej 20 për qind.

 

Tabela 6: Rezultatet nëpër komuna – dallimi midis popullsisë rezidente të regjistrimit të vitit 2002 dhe të 2021

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Klubi i Debatit Politik