Vendosni fjalën kyçe....

Nxënësi me nevoja të veçanta nuk u pranua në shkollë, ministrja shkarkon drejtorin e Zyrës Arsimore dhe drejtoreshën e shkollës



Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka pezulluar nga detyra drejtoreshën e shkollës dhe drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Divjakë, pas një denoncimi në media se një nxënës me nevoja të veçanta nuk pranohej të ndiqte mësimin.

Ky rast u denoncua nga një emision investigativ, ku fëmija nuk pranohej si nxënës nga drejtuesit e shkollës.

Ministria e Arsimit njofton se është ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Sipas ministres Evis Kushi, djali i mitur do rikthehet në bankat e shkollës nga dita e nesërme.

Njoftimi i ministres Kushi:

Pas denoncimit nga emisioni “Stop” në TV Klan të rastit të nxënësit E.L, i cili nuk është lejuar të vazhdojë frekuentimin në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Mihal Nako” në Fierseman, Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, pas verifikimeve paraprake, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm të drejtoreshës së shkollës dhe drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore Divjakë.

Ndërkohë, nxënësi do të kthehet menjëherë në bankat e shkollës, që nga dita e hënë 28 Mars 2022, pas kryerjes së të gjitha procedurave përkatëse nga ana e shkollës, në bashkëpunim edhe me mësuesin ndihmës, punonjësin e shërbimit psiko-social dhe familjen, me qëllim që E… të ketë të gjithë mbështetjen dhe kujdesin e duhur.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar kanë ngritur menjëherë një grup pune të përbashkët për verifikimin e plotë të rastit dhe marrjen e masave përfundimtare për personat përgjegjës.

Nga ana tjetër, që nga muaji janar Ministria ka ngritur një grup pune, i cili po punon intensivisht për ndryshimin e Ligjit për Arsimin Parauniversitar për kthimin e shkollave të arsimit special në qendra burimore, duke ofruar shërbim më profesional dhe të plotë për nxënësit me aftësi ndryshe, duke u përshtatur edhe me eksperiencat më të mira të vendeve evropiane. Parashikohet që këto ndryshime, pasi të konsultohen me të gjitha grupet e interesit, të finalizohen me miratimin në Parlament brenda vitit 2022.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke falënderuar denoncimin e këtij rasti, shpreh angazhimin për të ndjekur dhe zgjidhur me vendosmëri çdo problematikë të hasur në institucionet tona arsimore, me qëllim përmirësimin e cilësisë dhe respektimin e ligjit nga të gjithë.