Vendosni fjalën kyçe....

Jens Stoltenberg-ut i zgjatet edhe për 1 vit mandati si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s


Udhëheqësit e NATO-s kanë ranë dakord të zgjasin mandatin e Jens Stoltenberg, si sekretar i përgjithshëm edhe për një vit tjetër.

Stoltenberg ka reaguar lidhur me këtë përmes një postimi në “Twitter”, ku shprehet i vendosur për t’u përballur me situatën e vështirë të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.

“I nderuar nga vendimi i krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s për të zgjatur mandatin tim si Sekretar i Përgjithshëm deri më 30 shtator 2023. Ndërsa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë, ne qëndrojmë të bashkuar për ta mbajtur Aleancën tonë të fortë dhe popullin tonë të sigurt.”– shkroi Stoltenberg.

 

Ndërsa në një postim në faqen zyrtare të NATO-s thuhet se “Aleatët falënderuan Sekretarin e Përgjithshëm për udhëheqjen dhe përkushtimin e tij, veçanërisht në këtë moment kritik për sigurinë ndërkombëtare.”

Sjellim ndërmend se këtë të enjte, Samiti i NATO-s u mblodh në Bruksel për të diskutuar mbi situatën në Ukrainë dhe masat që do ndërmerren ndaj Rusisë.

Gjatë fjalës së tij, Stoltenberg theksoi se NATO nuk ka ndërmend të futet në luftë me Rusinë, duke hedhur poshtë propozimin e Polonisë për të dërguar një mision paqeruajtës në Ukrainë.

Megjithatë ai shtoi se aleanca ka rënë dakord të forcojë mbrojtjen e saj duke shtuar 40 mijë trupa në Evropën Lindore. Sipas Stoltenberg, katër njësi të reja me trupa do të dërgohen në Sllovaki, Hungari, Bullgari dhe Rumani.