Vendosni fjalën kyçe....

Habiten italianët, bregdeti i Puglias mbushet plot shishe me turshitë shqiptare (FOTOT)


Shishe plastike plot me turshi janë gjetur ditët e fundit në bregdetin italian. Kjo gjetje e pazakontë që ka habitur italianët është bërë në brigjet e Puglias, dhe këto shishe duket se vijnë pikërisht nga Shqipëria.

Faqja Archaeoplastic në “Facebook” publikoi të hënën fotot e këtyre shisheve, një projekt i krijuar me qëllim pastrimin e plazheve dhe katalogimin e mbetjeve plastike në një muze online për të rritur ndërgjegjësimin për ndotjen detare.

Shishet në fjalë përmbajnë ullinj, patëllxhanë dhe perime të tjera të konservuara me ujë dhe kripë. Por çfarë bëjnë ato në plazhet italiane? Përgjigjen e keni më poshtë.

“Përgjigja e këtyre gjetjeve lidhet me zakonin shqiptar të mbajtjes së perimeve të prera në feta, apo edhe të plota brenda shisheve plastike së bashku me ujë dhe kripë për t’i ngrënë gjatë gjithë vitit.

Një shpjegim ndryshe na vjen nga një skulptor shqiptar. Duket se këto preparate perimesh, të quajtura ‘turshi’, përgatiten në shishe plastike për t’u shitur nga zonjat e fshatit dhe shiten në tregjet lokale apo në cepat e rrugëve. Mallrat e pashitura ose të sekuestruara nga shitësit ambulantë hidhen duke u shndërruar në mbeturina të cilat, si shumë mbetje të tjera, më pas do të përfundojnë në det.”- është shpjegimi që bën faqja Archaeoplastic, e cila ka publikuar fotot të cilat më pas janë bërë virale në rrjetet sociale por edhe në mediet italiane.

Kjo faqe bën më pas propozimin e një “shkëmbimi kulturor” përmes detit mes vendeve fqinje.

“Në këtë pikë, pas shisheve shqiptare në formën e ariut, shpresojmë që të lindë një grup shkëmbimi kulturor trans-adriatik me temë plastikën. Me siguri gjatë stuhive të sirokut do të mbërrijë shumë materiale nga Italia si në brigjet shqiptare ashtu edhe në ato kroate e greke. Do të ishte interesante të dokumentohej situata në plazhet e tyre. Ndërkohë, na tregoni nëse edhe ju në dimër e gjeni këtë lloj shishe plot me perime dhe perime të prera në plazhet e Adriatikut.

Për momentin konstatohet prania e tyre nga Bari në Leçe në anën e Adriatikut.”- përfundon postimi.