Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm ukrainas i kërkon Perëndimit ta furnizojë Ukrainën me armatim


Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba i ka bërë thirrje Perëndimit të hënën që ta furnizojë Ukrainën me armë dhe të vendos më shumë sanksione kundër Rusisë për të ndihmuar në parandalimin e tërheqjes së vendeve të tjera në një luftë më të gjerë.

Ukraina u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të saj që të bëjnë më shumë për ta ndihmuar atë që t’i rezistojë pushtimit rus që filloi më 24 shkurt.

Disa qeveri perëndimore kanë frikë se një veprim i tillë mund të tërheqë vende të tjera, përfshirë vendet anëtare të NATO-s, në luftë, raporton Reuters.

“Për ata jashtë vendit që kanë frikë se mos tërhiqen zvarrë në Luftën e Tretë Botërore. Ukraina lufton me sukses. Ne kemi nevojë që ju të na ndihmoni të luftojmë. Na siguroni të gjitha armët e nevojshme”, shkroi Kuleba në Twitter.

“Zbatoni më shumë sanksione ndaj Rusisë dhe izolojeni atë plotësisht. Ndihmoni Ukrainën ta detyrojë Putinin të dështojë dhe ju do ta shmangni një luftë më të madhe”, shtoi ai.