Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit mbajnë një minutë heshtje për viktimat në Ukrainë: Jemi popull që nuk e duam luftën, turp t’i vijë Ramës


Ish-ministrja e qeverisë Teknike Mirela Karabina ka kërkuar në protestën e sotme një minutë heshtje për viktimat e luftës në Ukrainë.

Ajo iu përgjigj komenteve të kryeministrit Edi Rama se protestuesit kanë turpëruar Shqipërinë në sytë e botës. Karabina tha se duhet t’i vijë turp Ramës dhe jo protestuesve, që ngrihen për bukën e gojës. Ajo shtoi se protestuesit solidarizohen me familjet në Ukrainë dhe se populli shqiptar nuk e do luftën.

“A i vjen turp këtij kryeministri që ka qytetarë të tij që ngrihen për bukën e gojës?! Pra i turpëruar është ai, ndërsa ne duhet të ndihemi krenarë që jemi bij të këtij vendi dhe dimë të ngrejmë zërin dhe të kërkojmë të drejtat tona si qytetarë evropianë.

Kjo protestë nuk ka nisur nisur sot që kryeministri kërkon që si çdo gjë tjetër ta përdhosë. Kjo protestë ka nisur 4 muaj më parë. Ju e mbani mend që ne kemi dalë kët dhe kemi kërkuar dhe i kemi paraprirë pikërisht këtij momenti të rritjes së çmimeve që ai kërkon ta lidhë me luftën në Ukrainë.

Ne jemi popull që nuk e duam luftën. Ne sot solidarizohemi me ata mijëra njerëz që sot kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë shkuar nga të munden sepse ka filluar një luftë e padrejtë, që ka prekur dinjitetin e një vendi, atë për të cilin luftojmë gjithë kohës. Ndaj sot meqë ne jemi ngritur në këtë protestë dhe jemi në një situatë të tillë unë do doja që ne të mbajmë një minutë heshtje për të gjithë ata njerëz të cilët kanë rënë në mënyrë të padrejtë në Ukrainë.”- tha Karabina.

Pas një minute heshtje ajo shtoi: “Shumë faleminderit dhe vazhdojmë të qëndrojmë derisa kryeministri ta kuptojë që nuk mund të tallet më me ne. Boll na vodhët. “