Vendosni fjalën kyçe....

Zëvendëskryeministrja e Ukrainës: Edhe NATO i ka duart me gjak që s’vepron, jo vetëm Rusia


Zëvendëskryeministrja e Ukrainës thotë se NATO është pjesërisht përgjegjëse për vdekjet e civilëve në vend pas refuzimit për të zbatuar një zonë të ndaluar fluturimi mbi Ukrainë.

Ndërsa jepte një intervistë në BBC Radio 4, zv.kryeministrja Olha Stefanishyna tha se “është çnjerëzore të dish që popullsia civile dhe fëmijët do të vriten duke mos marrë këtë vendim”.

“Gjaku i atyre civilëve, duke përfshirë nënën dhe babanë e dy fëmijëve që lindën dje dhe vetëm sot humbën prindërit e tyre në një bombardim, nuk është vetëm në duart ruse.”– tha ajo sipas BBC.

Zëvendëskryeministrja ukrainase kërkoi falje që nuk ishte diplomatike në zgjedhjen e gjuhës, por tha se po fliste nga një strehimore për t’u mbrojtur nga sulmet.

Anëtarët e NATO-s kanë refuzuar deri më tani të krijojnë një zonë ndalim-fluturimi pasi janë të shqetësuar se kjo do të përshkallëzonte konfliktin duke i vënë forcat perëndimore në luftime të drejtpërdrejta me fuqinë ajrore ruse.