Vendosni fjalën kyçe....

Basha publikon videon: Koha na dha të drejtë për inceneratorët, lufta kundër korrupsionit është jetike për Shqipërinë


Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar sërish lidhur me hetimet e SPAK-ut mbi aferën e inceneratorëve.

Duke iu referuar arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka, Basha thotë se koha i dha “të drejtë”.

“Për vite me radhë Partia Demokratike ka denoncuar aferën mafioze të inceneratorëve, ndërsa zbatuesit e kësaj skeme e mbrojtën me çdo mjet e formë plaçkën 430 milionë euroshe me taksat e qytetarëve shqiptarë. Koha na dha të drejtë!

Lufta kundër korrupsionit është jetike për Shqipërinë dhe ne jemi të vendosur t’i japim fund pandëshkueshmërisë, sepse pa rezultate konkrete në luftën me këtë armik të mirëqenies së shqiptarëve, asgjë nuk mund të ndryshojë.”– shkruan Basha i cili ka shpërndarë një video me deklaratat e e tij dhe të kryeministrit Edi Rama për këtë çështje, ku ai i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë që të nisin menjëherë hetimin. Ndërsa Rama mbështet projektin.

“Projektet e inceneratorëve, janë zbuluar si projekte dhe afera korruptive dhe kriminale . Pse e themi këtë? Për momentin ka 3 inceneratorë, apo projekte për inceneratorë, është ai i Elbasanit, është ai i Fierit dhe ai i Tiranës. Mediat kanë zbuluar tashmë dhe kanë vënë në dispozicion edhe dokumentet para publikut, sepse të treja kontrollohen nga i njëjti person, i cili shërben si figurim për të fshehur pronarët e vërtetë. Ndaj, thirrja ime është ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokurorisë, të nis menjëherë hetimin dhe të vërë pikat mbi i për ata të cilët po dëmtojnë shtetin publik të shqiptarëve nga njëra anë dhe po grabisin fondet shtetërore, fondet e taksapaguesve shqiptarë nga ana tjetër.”- shprehet Basha.

Në këtë video, kryejmjinistri Rama shprehet lidhur me inceneratorët: “E kam mbështetur këtë projekt që ditën e parë kur e kemi votuar në Këshillin e Ministrave. I jam shumë mirënjohës ministrave, Ministrit të Mjedisit dhe Ministrit të Financave që megjithëse është gjirokastrit, në këtë rast e zgjidhi deri në fund qesen.  Ky është ndryshimi që ndodh kur Partia Socialiste ka në dorë çelsat e shtëpisë.”