Vendosni fjalën kyçe....

“Menuja” që kushton 41 milionë lekë/ KPP anulon tenderin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit


 

Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), ka anuluar tenderin e menusë për lokalet e 100 fshatrave turistike, pas denoncimit të një prej pjesëmarrësve.

Ankesa ka ardhur nga firma konkurruese “Kube Studios” SHPK & “Albanian Gastronomy Academy AGA” SHPK & “CBS Creative Business Solutions” SHPK.

Sipas të dhënave të publikuara për këtë tender, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me drejtor Dritan Agollin ka dhënë fondin limit 41,666,667 lekë pa TVSh, për ndërhyrjen e krijimit të produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menunë e 100 Fshatrave. Projekti ka ngecur duke qenë se është hartuar në shkelje të ligjit duke hartuar kritere favorizuese për fituesin e paracaktuar.

Këto shkelje i ka nxjerrë një për një kompania BOE “Kube Studios” SHPK & “Albanian Gastronomy Academy AGA” SHPK & “CBS Creative Business Solutions” SHPK e cila ka kundërshtuar vlerësimin me pikë të propozimeve teknike të paraqitura.

Në rastin konkret, nga shqyrtimi i dokumenteve të tenderit, ftesës për ofertë, si dhe procesverbaleve të vlerësimit të mbajtura nga komisioni i vlerësimit të ofertave, KPP konstaton, se në dokumentet e tenderit dhe në ftesën për ofertë, autoriteti kontraktor i ka hartuar kriteret e vlerësimit teknik pa përcaktuar se cilat janë eksperiencat e ngjashme të subjektit dhe vlerat e tyre; kapacitetet ekonomike dhe certifikatat e cilësisë; metodologjitë e propozuara; planifikimet dhe organizimet e stafit apo kualifikimet dhe eksperiencat e stafit, të cilat do të konsiderohen të mjaftueshme për të përfituar pikët maksimale për secilin nënkriter.

Pra, nuk është bërë e qartë për operatorët ekonomikë të ftuar se si duhet të hartojnë ofertat e tyre teknike. Kuptohet se kjo është vetëm maja e ajsbergut, sepse vlera e tenderit për një punë të tillë, lë të kuptohet se ndodhemi para një abuzimi të pastër me fondet e buxhetit të shtetit.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al