Vendosni fjalën kyçe....

Tenderi 400 mijë dollarë i FSHZH-së, jo vetëm Alfio Rrotani i lidhur me djalin e Dritan Agollit, përfituesi tjetër bëri logon e lokalit


Detaje të tjera kanë dalë për tenderin me vlerë 400 mijë dollarë, për shërbim konsulence për menunë e programit “100 fshatrat” të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) me drejtues, Dritan Agollin.

Në këtë tender FSHZH shpalli fitues bashkimin e kompanive “Mascarpone” me drejtues Alfio Rrotani dhe “TELL ALL CO” të Endrit Maçit.

Përveç Alfio Rrotanit i cili ka qenë kuzhinier në restorantin e djalit të Drejtorit të FSHZH-së edhe Endrit Maçi ka qenë i lidhur me restorantin me pronar Flladi Agollin.

Maçi, në prill të vitit 2021 është kontraktuar nga djali i Dritan Agollit, Flladi Agolli, për t’i bërë logon për restorantin e tij me emrin “Bedouni Beach Bar”, që ndodhet në plazhin e Hamallajt. Ky raport është reklamuar vetë nga “Tellallco” në faqen zyrtare të Instagramit.

Por disa muaj më vonë, në tetor të vitit 2021, Endrit Maçi ka bërë një punë tjetër për vetë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ku përfshihen logoja e institucionit, ngjyra, kartëvizita, letra etj. Edhe ky shërbim ndaj FSHZH është pasqyruar nga “Tellallco” në instagram, ku FSHZH shfaqet në listën e klientëve të Endrit Maçit. Nuk dihet nëse është paguar dhe sa është paguar Endrit Maçi për këtë shërbim.

Pra tenderi 400 mijë dollarë shton hijet e dyshimit të favorizimit që lidh djalin e drejtuesit të FSHZH-së jo vetëm Alfio Rrotanin por edhe me Endrit Maçin./Hashtag.al