Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë dimë deri tani për luftën në Ukrainë?


Rusia ka nisur një sulm ushtarak mëngjesin e kësaj të enjteje ndaj fqinjit të saj jugor Ukrainës, me urdhër të presidentit rus Vladimir Putin.

Ka raportime për sulme në infrastrukturën ushtarake ukrainase në të gjithë vendin, dhe autokolona ruse që hyjnë nga të gjitha drejtimet. Çfarë dimë deri tani?

Putin urdhëroi sulmin

Në një fjalim televiziv në orën 05:55 sipas orës lokale të Moskës, Putini njoftoi nisjen e një “operacioni ushtarak” në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës. Kjo zonë është shtëpia e shumë ukrainasve që flasin rusisht. Një pjesë e saj ka qenë e pushtuar dhe e drejtuar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014.

Putini tha se Rusia po ndërhynte si një akt vetëmbrojtjeje. Ai tha se Rusia nuk donte të pushtonte Ukrainën, por donte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” vendin.

Ai u kërkoi ushtarëve ukrainas në zonën e luftimit që të linin armët dhe të shkonin në shtëpi, por tha se përleshjet ishin të pashmangshme dhe “vetëm çështje kohe”.

Dhe Putini shtoi se çdo ndërhyrje nga fuqitë e jashtme për t’i rezistuar sulmit rus do të përballej me një përgjigje “të menjëhershme” dhe shkatërruese.

Shpërthime dëgjohen në të gjithë vendin

Korrespondentët e BBC-së raportojnë se janë dëgjuar zhurma të forta në kryeqytetin ukrainas, Kiev, si dhe në Kramatorsk në rajonin Donetsk të Ukrainës lindore. Shpërthime janë dëgjuar edhe në qytetin port jugor të Odesës. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se Rusia kishte kryer sulme me raketa në infrastrukturën e Ukrainës dhe mbi rojet kufitare.

Ministria ruse e mbrojtjes ka mohuar të ketë sulmuar qytetet ukrainase, duke thënë se kishte në shënjestër vetëm infrastrukturën ushtarake, mbrojtjen ajrore dhe forcat ajrore me “armë të precizionit të lartë”.

Tanke dhe trupa hyjnë në Ukrainë

Tanke dhe trupa janë derdhur në Ukrainë në pikat përgjatë kufijve të saj lindor, jugor dhe verior.

Karvanet ushtarake ruse kanë kaluar nga Bjellorusia në rajonin verior të Ukrainës, Chernihiv dhe nga Rusia në rajonin Sumy, i cili është gjithashtu në veri. Të paktën kështu tha shërbimi i rojes kufitare të Ukrainës (DPSU).

Bjellorusia është një aleat i vjetër i Rusisë. Analistët e përshkruajnë vendin e vogël si “shtetin klient” të Rusisë.

Kolonat ushtarake kanë hyrë gjithashtu në rajonet lindore të Luhanskut dhe Kharkiv, dhe janë zhvendosur në rajonin Kherson nga Krimea – një territor që Rusia e aneksoi nga Ukraina në 2014.

Ofensivës ruse i parapriu zjarr artilerie dhe pati lëndime në rojet kufitare, tha DPSU.

Ka pasur gjithashtu raporte për zbarkim të trupave nga deti në qytetet portuale të Detit të Zi, Mariupol dhe Odesa në jug. Një banor britanik i Odesës tha për BBC se shumë njerëz po largoheshin.

Vdekje të raportuara

Rreth 10 civilë besohet të jenë vrarë, duke përfshirë gjashtë në një sulm ajror në Brovary pranë Kievit. Një burrë u vra gjithashtu në granatimet jashtë qytetit të madh lindor të Kharkiv.

Një këshilltar presidencial ukrainas tha se më shumë se 40 ushtarë kishin vdekur dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Ukraina tha se kishte vrarë 50 trupa ruse.

Ukraina po kundërpërgjigjet

Forcat e armatosura ukrainase thanë se kishin rrëzuar pesë avionë rusë dhe një helikopter – gjë që Rusia e mohon – dhe se u shkaktuan viktima trupave pushtuese.

Por më vonë të enjten, presidenti Zelensky tha se Ukraina kishte pësuar humbje dhe shumë avionë dhe automjete të blinduara ishin shkatërruar.

Rusia tha se ka shkatërruar më shumë se 70 objektiva ushtarakë në Ukrainë. Pjesa më e madhe e luftimeve duket se është e përqendruar në lindje të vendit. Por përleshjet kanë ndodhur gjithashtu rreth Kievit dhe qyteteve portuale të Detit të Zi, Odesa dhe Mariupol.

Ukraina ka shpallur gjendjen ushtarake – që do të thotë se ushtria merr kontrollin përkohësisht. Ajo ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, ka ofruar armë për këdo që i dëshiron dhe ka shpallur një shtetrrethim brenda natës për Kievin.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba iu lut botës të vendosë sanksione shkatërruese, duke përfshirë ndalimin e Rusisë nga sistemi ndërkombëtar i transfertave bankare Sëift.

Banorët kërkojnë strehim

Në Kiev ka bllokime të mëdha në rrugët e shpejta ndërsa njerëzit largohen nga qyteti.

Dëshmitë e mediave sociale flasin për një ndjenjë paniku në rritje, me disa që thonë se ata po dërgohen me nxitim në strehimoret e bombave dhe në bodrume. Pamjet televizive kanë treguar njerëzit duke u lutur në rrugë.

Shumë njerëz në Kiev kanë kërkuar strehim në stacionet e metrosë nëntokësore. Ka pasur radhë të gjata në pikat e karburanteve dhe bankomate.

Më tej në lindje në Kramatorsk, në rajonin lindor të Donetskut, korrespondentja e BBC-së për Evropën Lindore, Sarah Rainsford tha se njerëzit nuk e prisnin një sulm të tillë.

“Njerëzit dolën në rrugë mbrëmë në këtë qytet duke valëvitur flamurin ukrainas. Ata thanë se kjo ishte toka e tyre. Ata nuk po shkonin askund.”– tha ajo. “Kjo është ajo që njerëzit kanë pritur, ata kanë pritur, por askush këtu nuk mund ta besojë se po ndodh në të vërtetë.”

 

Rritet çmimi i naftës

Çmimet e naftës u rritën mbi 100 dollarë për herë të parë në më shumë se shtatë vjet. Ndërkohë, monedha ruse, rubla, ra në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit dhe euros.

Dhe indeksi kryesor FTSE 100 i Bursës së Londrës ra me më shumë se 200 pikë, ose 2.7%.

Bota dënon Putinin

Presidenti i SHBA-ve Joe Biden tha se Putin kishte “zgjedhur një luftë të paramenduar që do të sjellë një humbje katastrofike të jetës dhe vuajtje njerëzore”.

Ai tha se do t’u drejtohej amerikanëve me një njoftim për pasojat që do të përballet Rusia.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se “sipërmarrja e shëmtuar dhe barbare e Vladimir Putin duhet të përfundojë në dështim”.

Duke iu drejtuar rusëve, ai u shpreh: “Nuk mund të besoj se kjo po bëhet në emrin tuaj, ose që ju me të vërtetë dëshironi statusin e parisë që do t’i sjellë regjimit të Putinit”. Ai u tha ukrainasve se Britania e Madhe është “në anën tuaj”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dënoi “sulmin e pamatur” të Rusisë duke thënë se ai “vë në rrezik jetë të panumërta civilësh”.

Evropa po përballej me orët e saj më të errëta që nga Lufta e Dytë Botërore, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump thotë se Putini ka përfituar nga “dobësia” amerikane.