Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Mbrojtjes: Ditë e keqe për paqen dhe demokracinë, Shqipëria vigjilente ndaj çdo sfide


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka folur lidhur me situatën mes Rusisë dhe Ukrainës, të cilat në këto momente po luftojnë njëra tjetrën.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvend, Peleshi tha se Shqipëria është vigjilente ndaj çdo sfidë që mund të ketë në rajon, si pasojë e sulmeve ruse ne Ukrainë. Sipas tij, dita e sotme është një ditë e keqe për paqen dhe demokracinë në botë.

Ministri i mbrojtjes u shpreh se vendi ynë do të japë kontributin e tij në krah të NATO-s lidhur me këtë situatë.

“Sot është një ditë e keqe për paqen dhe demokracinë në botë. Si ministër i mbrojtës dua të them dy fjalë për Ukrainën dhe implikimet që ajo mund të ketë në zonën euroatlantike dhe veçanërisht në rajonin tonë të brishtë. Sot në orët e para  të mëngjesit makineria ushtarake ruse ka filluar ndërhyrjen luftarake në territorin sovran të Ukrainës. Raportohet humbje jetësh njerëzish të pafajshëm dhe dëme materiale.

E dënojmë me forcë sulmin e pajustifikuar dhe të paramenduar të Rusisë ndaj sovranitetit dhe popullit ukrainas si  një akt që dhunon rendin kushtetues botëror, çdo marrëveshje dhe ligj ndërkombëtar. Jemi më shumë se kurë të bashkuar në NATO në këtë luftë vlerash duke ndenjur vigjilent dhe ndjekur çdo implikim apo sfidë të mundshëm në rajonin tonë. Shqipëria do të japë kontributin tonë ndaj aleancës. Dëshiroj të risjell në vëmendjen tuaj se kushdo, cdo shqiptar që është i interesuar për paqen në rajon, Shqipëria dhe Kosovë duhet të unifikohet në një qëndrim të përbashkët, nëse duam të flasim në një zë dinjitoz. Idetë për rezoluta, pse ka apo nuk ka të gjithë e kuptojmë që nuk janë në të mirë të dinjitetit tonë, të pozicionit tonë në raport me aleatët apo rajonin. Unë kam ndjekur qëndrimet e të gjitha qeverive dhe nuk shikoj rezoluta parlamentare. Nuk është praktikë e padrejtë, por sot po flasin qeveritë në emër të tyre. Ne kemi folur dhe kemi reaguar, jemi më të bashkuar se kurrë në NATO.”- tha Peleshi.