Vendosni fjalën kyçe....

Trump publikon sot rrjetin e tij social, mund të shkarkohet në “App Store”


Platforma e mediave sociale e ish-presidentit amerikan Donald Trump e quajtur “Truth Social”, ka nisur këtë të hënë në një formë të kufizuar, në “Apple App Store” në SHBA.

Siç shkruan BBC, komentuesit kanë vënë në dukje se aplikacioni kishte ngjashmëri të mëdha me “Twitter-in”.

Drejtuesi i projektit dhe ish-kongresmeni Devin Nunes tha se pritej që rrjeti social të ishte plotësisht funksional deri në fund të marsit. Disa përdorues kishin vështirësi në regjistrimin e llogarive të tyre.

Disave prej atyre që përpiqeshin të regjistroheshin u ishte thënë: “Për shkak të kërkesës masive, ne ju kemi vendosur në listën tonë të pritjes”.

Javën e kaluar, djali i ish-presidentit Donald Trump Jr ndau me publikun një pamje të parë të rrjetit social të babait të tij duke thënë: “Bëhuni gati. Presidenti juaj i preferuar do t’ju shohë së shpejti”.

Kujtojmë se Donald Trump u përjashtua nga Twitter, Facebook dhe YouTube vitin e kaluar, me akuzat se ai kishte thyer rregullat për glorifikimin e dhunës referuar ngjarjeve në Kapitol të 6 Janarit të vitit 2021.