Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Basha i dorëzoi Escobarit listën me biznesmenët që mbështesin Foltoren


Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në emisionin “Radar Informativ” në ABC News se kryetari i PD Lulzim Basha i ka dorëzuar përfaqësuesit të SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar një listë me emra biznesmenësh që sipas tij kanë mbështetur Berishën për Foltoren.

Berisha tha se ata janë thirrur një e nga një në ambasadë për të dhënë deklarimet e tyre ndërsa shtoi se Berisha nuk ka kërkuar kurrë asnjë qindarkë të vetme.

“Brenda kryesisë nuk kam pyetur asnjeri pasi kryesia nuk ekziston. Me aleatët kam komunikuar dhe janë në mbështetje të PD dhe të përpjekjes së Rithemelimit të saj. Besoj se në mënyrë transparente i janë ofruar të gjitha shanset por zoti Basha në vend të reflektimit mbi shkelmimin që i bëri statutit, zgjodhi vetëm mashtrimin. Ai iu ka ofruar bashkëpunëtorëve të tij mashtrime nga më monstruozet.

Ai i ofroi një listë me biznesmenë që ndihmojmë foltoren zotit Escobar. Njerëz që kurrë Berisha nuk ka kërkuar jo në Foltore por edhe më përpara asnjë qindarkë të vetme. Ata thirren një nga një në ambasadë për të dhënë llogari siç u thirrën gazetarët që të mos transmetojnë Foltoren. E gjitha është ky. Ata që i besojnë Bashës bëjnë gabim të jashtëzakonshëm”, tha Berisha.

Berisha njoftoi se ditën e hënë do të rikthehet në parlament. Ai tha se krahas aksionit të tyre do bëjnë çfarë është e mundur që të mos lënë pas dore aktivitetin parlamentar duke theksuar se do të vazhdojnë të ulen në vendet e tyre.

“Betejë që nuk e ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të hënën do shkoj në parlament. Unë kam edhe një agjendë pak sit ë më veçantë. Unë nuk shkëpus kurrsesi marrëdhëniet me parlamentin. Do bëj gjithçka që krahas takimeve të ruajmë edhe aktivitetin parlamentar që qytetarët të shohin të zë të së vërtetës në atë parlament që sot për sot përqendrimin e të inkriminuarve e ka më të lartë se çdo institucion peniticiar.

Vendimet e lul kimikut janë inekzistente. Ne i kemi shkarkuar nga Kuvendi i 11 Dhjetorit. Ai është kryetari i Ramës. Nuk është çështje selie apo zyre. Është çështje jetike e pluralizmit politik në Shqipëri. Nga e hëna e tutje në parlament do te jetë një zë i fuqishëm. Ne i kemi të gjithë vendet në parlament. Ne nuk lëvizim nga pozicionet tona”, tha Berisha.