Vendosni fjalën kyçe....

Pas Tiranës, Gjykata pezullon garën e FSHF-së në të gjithë vendin


Pas Tiranës, mësohet se Gjykata e Tiranës ka pezulluar garën e FSHF-së në të gjithë vendin. Sikurse bëhet me dije në njoftimin e gjykatës, gara në FSHF është bllokuar deri në shqyrtimin e manipulimeve dhe të gjithë dosjes voluminoze ku faktohen trukimet për zgjedhje.

Gjithashtu, Gjykata ka vendosur që drejtuesit e FSHF-së Duka, Shulku e Kokëdhima të pezullohen deri në vendimin përfundimtar për të gjitha shkeljet për të cilat ata akuzohen.

Kështu sipas këtij vendimi, FSHF nuk mund të bëjë zgjedhjet pa u shqyrtuar më parë ankesat në gjykatë, të cilat janë në fakt nga të gjithë shoqatat rajonale të sportit.

Është pezulluar Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së për zgjedhjet e 2 Marsit si dhe gjithë Komisioni i Verifikimeve për zgjedhje.

VENDIMI I GJYKATËS

Ju informoj se kërkesa me nr. 274 Aki, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftëtari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së palës kërkuese.

Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:

1.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;

2.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;

3.Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022.