Vendosni fjalën kyçe....

Padia kundër FSHF-së, Gjykata e Tiranës i jep të drejtë Veliajt dhe jo Dukës


Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë Bashkisë së Tiranës, në padinë që ky institucion ka ngritur kundër kreut të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.

Kryebashkiaku Erion Veliaj kishte bërë një kallëzim në Gjykatën e Tiranës, në cilësinë e aksionarit në Klubin e Futbollit Tirana. Në këtë padi, Veliaj akuzonte Ilir Shulkun, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i FSHF-së dhe Ardian Haçin, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, se kanë manipuluar zgjedhjet për Kreun e ri të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës.

Këtë të enjte Gjykata dha vendimin, duke rrëzuar vendimet e FSHF-së dhe duke njohur vendimet e Asamblesë së zhvilluar nga Erion Veliaj, në cilësinë e aksionerit të klubit të Tiranës dhe duke regjistruar si drejtues të shoqatës Eduard Prodanin.

Pas këtij vendimi, Prodani foli për mediet duke u shprehur se nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nje dhunim i tillë i zgjedhjeve nuk kalon dot në asnjë gjykatë që zbaton ligjin dhe parimet e përgjithshme të zgjedhjeve të drejta. FSHF nuk është përballur asnjëherë realisht me drejtësinë për ‘kasaphanat’ e saj zgjedhore. Mendoj se ky është vetëm fillimi.”– tha ai.