Vendosni fjalën kyçe....

Kishin ngritur disa plantacione kanabisi në Spanjë, arrestohen 10 shqiptarë


Policia spanjolle ka goditur një grup shqiptarësh, të cilët dyshohen se janë pjesë e një organizate kriminale në Spanjë, që merrej me kultivimin dhe shitjen e marijuanës.

Mediet spanjolle shkruajnë se bëhet fjalë për një grup shtetasish shqiptarë që kishin plantacione të shpërndara në magazina dhe banesa në zona të ndryshme të krahinës Alicante. Grupi thuhet se kishte më shumë se 2000 bimë kanabisi të ndarë në të gjithë kraahinën në fjalë.

U arrestuan dhjetë persona të kombësisë shqiptare nga mosha 19 deri në 32 vjeç. Policia thotë se këta persona, të cilët vepronin si një grup i “strukturuar në mënyrë perfekte” kishin disa banesa dhe objekte industriale të shpërndara në të gjithë provincën e Alicante-s, të cilat i përdornin për kultivimin e lëndëve narkotike. Pas ndërhyrjes në gjashtë ndërtesa të tilla, autoritetet sekuestruan mbi 2 mijë bimë marijuane në gjendje lulëzimi si dhe një numër të madh sythash të thatë të përgatitur për shpërndarje. U sekuestruan gjithashtu 4 mijë euro dhe materiale të ndryshme që besohet se janë përdorur në lidhje me kultivimin e lëndëve narkotike.

Të mbjellat e vendosura brenda këtyre ndërtesave kishin një sistem elektrik të sofistikuar të përbërë nga disa transformatorë dhe sisteme drite që favorizonin rritjen e bimëve, të gjitha të lidhura në mënyrë të paligjshme me rrjetin elektrik.

Shqiptarët akuzohen për krime kundër shëndetit publik, përkatësi në një grup kriminal dhe mashtrim me energjinë elektrike.